Ndërlidhjet

Jahjaga vlerëson pozitivisht arritjen e marrëveshjeve


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar pozitivisht arritjen e marrëveshjeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për përfaqësimin në organizatat rajonale të Republikës së Kosovës dhe për menaxhimin e integruar të kufijve.

Presidentja e Republikës vlerëson se “dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura, dy vende fqinje e të barabarta, ndihmon në normalizimin dhe shtendosjen e marrëdhënieve, në lehtësimin e jetës e të punës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.

Në një komunikatë për shtyp, të lëshuar nga kabineti i presidentes, Jahjaga mes tjerash citohet të ketë thënë se “konkretizimi i rrugës evropiane për Republikën e Kosovës, me vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe me fillimin e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, do të përshpejtojë integrimin e Kosovës në BE dhe do të mundësojë thellimin dhe zbatimin e reformave në vend”.

Zonja Jahjaga u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, partive dhe subjekteve politike dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që “t’i japin mbështetje konkrete kësaj marrëveshjeje, të gjithë procesit të dialogut dhe rrugës së Republikës së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur në proceset e integrimeve euroatlantike”.
XS
SM
MD
LG