Ndërlidhjet

Sinjale pozitive për Serbinë


Flamur i BE-së
Flamur i BE-së
Ministrat e jashtëm të BE-së janë pajtuar për hapin e parë kryesor në dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, ka thënë ministri i jashtëm francez, Alen Zhype.

“Sot kishin një marrëveshje”, u ka thënë Zhype gazetarëve gjatë një pauze të takimit ministror që po mbahet në Bruksel, transmeton AFP.

Vendimi formal për dhënien e kandidaturës pritet të jepet nga ministrat për Çështje Evropiane të martën, ndërsa verdikti final jepet në një samit të BE-së më 1 dhe 2 mars.

“Të paktën nuk kishte kundërshtime tjera sot”, ka thënë Zhype.

“Kjo do të inkurajojë Beogradin që të bëjë përparim në rrugën drejt riafrimit me BE-në”, ka thënë ai, edhe pse sipas tij, ka ende punë për t’u bërë.

Disa ministra të jashtëm të BE-së kanë folur në favor të dhënies së kandidaturës.
“Serbia i ka përmbushur kushtet për statusin e kandidatit”, ka thënë ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.

Ngjashëm është shprehur edhe homologu i tij belg, Didier Rajnders, i cili është zotuar se do të mbështesë Beogradin.

Ndërkaq, ministri çek Karel Shvarzenberg ka shprehur shpresën se “do të ketë një marrëvëshje pozitive”.

Beogradi forcoi shanset e tij për të fituar kandidaturën pas marrëveshjes për bashkëpunim rajonal që arriti me Kosovën të premten e kaluar.

Sipas marrëveshjes, Kosova mund të marrë pjesë në takimet rajonale, si anëtare me të drejta të plota si shtetet tjera, por nën fusnotën, e cila përmend rezolutën 12 44 dhe Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drjetësisë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG