Ndërlidhjet

Lituania e Rumania kundër kandidaturës së Serbisë?


Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së, Bruksel, 27 shkurt
Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së, Bruksel, 27 shkurt
Serbia dukej se është afër marrjes së vendimit për statusin e kandidatit, por agjencia France Press, raporton se kanë dalë në pah, kundërshtimet nga ana e Lituanisë dhe Rumanisë.

Lajmi vjen, pasi që ministri francez i Punëve të Jashtme, Alen Zhype, kishte bërë të ditur se “është arritur marrëveshje” për dhënien e statusit të kandidatit.

Agjencia franceze e lajmeve, citon një diplomat të BE-së, të ketë thënë se “shumica e çështjeve të mëdha janë zgjidhur, por ende nuk ka marrëveshje”, për shkak të kundërshtimeve nga Vilniusi dhe Bukureshti.

Vendimi formal për dhënien e kandidaturës pritet të jepet nga ministrat për Çështje Evropiane të martën, ndërsa verdikti final jepet në një samit të BE-së më 1 dhe 2 mars.

Bisedimet e minutave të fundit, pritet të zhvillohen në mes të ambasadorëve të vendeve të BE-së të hënën në mbrëmje, në përpjekje për të tejkaluar problemet e ngritura nga Rumania, e në veçanti, Lituania,.

Rumania po kërkon garanci se do të respektohet minoriteti rumun në Serbi, ndërsa Lituania është në një ‘konflikt’ të hidhur me Serbinë në lidhje me udhëheqjen e Asamblesë së Përgjitshme të OKB-së si dhe për çështjet tregtare.

Viniusi po ashtu shqetësohet për miqësinë e Beogradit me Moskën, i ka thënë agjencisë AFP një diplomat.

“Ata e shohin Serbinë si pjesë të Rusisë në BE. Kjo është bërë një çështje madhore në Lituani”.

Gjermania dhe Britania kanë refuzuar që t’i japin dritën e gjelbër Beogradit që t’i bashkohet unionit, përderisa nuk zbut tensionet me Kosovën.

Por, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit e arritur në Bruksel të premten e kaluar, ka krijuar një atmosferë më pozitive edhe në mesin e ministrave të Punëve të Jashtme, që u takuan në Bruksel.
XS
SM
MD
LG