Ndërlidhjet

Guardian: Google ndryshon rregullat, BE heton


Google...
Google...

" Guardian "


Rregullat e reja të privatësisë së Google-it, që hynë në fuqi më 1 mars, do të hetohen nga autoritetet e BE-së, sepse Franca po insiston që me këtë po shkelen ligjet evropiane.

Mbikëqyrësi i të dhënave të Francës, CNIL (Komisioni Kombëtar i Informimit Francez), i dërgoi Google-it një letër ku i tha se do të çojë një hetim për këto rregulla, ku përfshihen edhe të dhënat e përdoruesve individualë të mbledhura nga ueb faqet e ndryshme të internetit.

Google në janar tha se është duke i thjeshtuar rregullat e privatësisë, duke i bashkuar 60 rregulla në një, dhe e promovoi këtë si një ndryshim pozitiv.

Përdoruesit duhet patjetër t’i pranojnë rregullat e reja, nëse duan të vazhdojnë t’i përdorin shërbimet e Google.

"CNIL dhe autoritetet e informimit të BE-së janë shumë të shqetësuar në lidhje më kombinimin e informacioneve personale. Ata kanë dyshime të mëdha nëse është e ligjshme dhe e drejtë në përputhje me legjislacionin evropian për mbrojtjen e të dhënave”, i kishin shkruar mbikëqyrësit e të dhënave të Francës, Google-it.

Google i ka futur në fuqi ndryshimet më 1 mars, dhe ka kundërshtuar kërkesat nga rregullatorët evropianë.

Përplasja rreth të dhënave private ndodh në një kohë mjaft të ndejshme për Google-in, biznesi i të cilit është bërë model për largimin e kërkimit të lirë, e-mailit dhe shërbimeve tjera, duke fituar të holla nga shitja e reklamave.

Tashmë është duke u hetuar nga autoritetet kompetente të BE-së dhe Komisioni Federal i Tregtisë së Shteteve të Bashkuara rreth asaj se si do të renditen rezultatet e kërkimit, se nëse ato favorizojnë produktet e tyre, apo të rivalëve.

Në letrën që iu kishte përgjigjur CNIL-it, Google tha se është më se e lumtur t’u përgjigjet pyetjeve të BE-së.

"Siç kemi thënë disa herë më parë, derisa rregullat e privatësisë tonë po ndryshojnë më 1 mars, ato asnjëherë nuk kanë qenë kaq të forta”, tha Piter Flisher, mbrojtësi global i privatësisë së Google.

Ai tha se "kemi besim se rregullat tona të reja të privatësisë i respektojnë të gjitha të dhënat dhe principet Evropiane”.

Sipas propozimeve të bëra nga BE-ja, kompanitë si Google, Facebook dhe Yahoo duhet t’i kërkojnë përdoruesve lejen për të përdorur të dhënat e tyre.

Përdoruesit e internetit mund edhe të kërkojnë që të dhënat e tyre të fshihen nga ueb faqet përgjithmonë, dhe kjo quhet “e drejta për t’u harruar”.

Ministria Tregtare dhe Industriale e Japonisë paralajmëroi të mërkurën se Google duhet të ndjekë ligjin e Japonisë në zbatimin e qasjes saj të re, dhe se Google duhet patjetër të japë shpjegime për të adresuar shqetësimet e përdoruesve.

Google ka theksuar se përdoruesit mund të kërkojnë në mënyrë anonime, për të mos u gjurmuar, si edhe duke përdorur llogari të ndara për shërbime të ndryshme. Përdoruesit mund të kontrollojë preferencat e tyre reklamuese dhe të sigurohen që historia e tyre në ueb faqe nuk është gjurmuar.(g.k.)
XS
SM
MD
LG