Ndërlidhjet

WSJ: Një paralajmërim për gratë e Pranverës Arabe


Një grua në Egjipt...
Një grua në Egjipt...
" Wall Street Journal"

Shkruan: Shirin Ebadi, aktiviste për të drejtat e njeriut në Iran, njëherësh fituese e Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2003.



Nuk pajtohem me shprehjen “Pranvera Arabe”. Përmbysja e diktaturave nuk është e mjaftueshme. Vetëm kur qeveritë shtypëse zëvendësohen me demokraci, mund të konsiderojmë se kryengritjet popullore në Lindjen e Mesme janë në kuptim të plotë “pranverë”.

Përderisa gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë së rajonit, çdo zhvillim demokratik do të duhej të përmirësonte statusin social dhe ligjor të grave në botën arabe. Duket se shoqëria tuniziane ka institucione të forta civile dhe ka shpresë për demokracinë. Por, në Egjipt, shumë akterë politikë flasin për kthimin e Ligjit Islamik, që do të mund të rezultonte me shtypje të të drejtave të grave dhe vajzave, ashtu siç ndodhi në Iran në vitin 1979.

Edhe pse revolucioni i Iranit është quajtur shpesh Revolucion Islamik, për të mund të thuhet se ishte revolucion i burrave ndaj grave. Para revolucionit, të drejtat e grave janë njohur deri në njëfarë mase. Por, revolucioni ka çuar në miratimin e ligjeve të shumta diskriminuese kundër grave.

Pas revolucionit, madje edhe para hartimit të kushtetutës së re apo krijimit të parlamentit, këshillat revolucionarë i kanë ndryshuar ligjet. Kur kam lexuar Kodin Penal Islamik, nuk kam mundur t’iu besoj syve, shkruan Ebadi. Hartuesit e këtij dokumenti na kanë kthyer 1,400 vjet pas.

Para revolucionit, unë kam qenë gjyqtare kryesuese. Pas shpërthimit të tij, unë isha në anën e revolucionarëve dhe besoja në kauzën e tyre. Kam qenë e tronditur kur revolucionarët kanë vendosur se gratë nuk mund të mbajnë pozicionin tim. Unë jam zhvendosur në postin e sekretares, ndërsa kolegët e mi meshkuj, të cilët nuk ishin profesionistë, janë emëruar gjyqtarë.

Gratë egjiptiane kanë brohoritur slogane të ndryshme, derisa kanë ndjekur protestat në Sheshin Tahrir në vitin 2011.

Në protestat e Lëvizjes së Gjelbër, pas zgjedhjeve të kontestueshme presidenciale të vitit 2009, bota ka qenë dëshmitare e numrit të madh të grave iraniane në rrugë dhe e fuqisë së lëvizjes sonë feministe. Mbi 65 për qind e studentëve universitarë janë gra, shumë mësimdhënës universiteti janë gra dhe gratë janë të pranishme në të gjitha pozicionet e rëndësishme dhe të ndjeshme sociale.

Megjithatë, ligji që zbatohet sot në Iran, nuk e konsideron gruan si qenie të plotë njerëzore. Ai e përshkruan gruan më pak të vlefshme se burrin. Për shembull, dëshmia e dy grave në gjykatë, është e barabartë me dëshminë e një burri. Një burrë mund të martohet me katër gra dhe mund të shkurorëzohet kur të dojë. Por, inicimi i divorcit nga ana e gruas do të ishte i vështirë. Një gruaje të martuar madje i duhet pëlqimi me shkrim i burrit të saj për të udhëtuar.

Këto ligje diskriminuese nuk janë islamike dhe nuk mund të gjenden në Kuran. Gratë iraniane nga të gjitha sferat e jetës i kundërshtojnë këto ligje dhe kjo është njëra nga arsyet përse ato janë në ballë të çdo proteste.

Shumë autoritete fetare të Iranit janë kundër këtyre ligjeve, por, megjithatë, fundamentalistët në pushtet, meqë i përkasin kulturës patriarkale, këmbëngulin në zbatimin e tyre. Pra, gratë iraniane janë dyfish të shtypura, nga ligjet diskriminuese dhe nga traditat e padrejta.

Bota është tronditur nga rasti i Sakineh Muhamedi Ashtianit, gruaja iraniane që është dënuar me vdekje me gurë për gjoja tradhti bashkëshortore. Mjerisht, ka shumë raste të ngjashme që njerëzit jashtë Iranit nuk i dinë.

Arsimi është kyç për të ardhmen e grave në mbarë botën. Ato duhet të vetëdijesohen për të drejtat e tyre. Arsimi ka qenë qendra e fushatës “Një milion nënshkrime”, të cilën e kemi nisur në vitin 2006, me synimin për t’i dhënë fund diskriminimit gjinor në Iran.

Një tjetër metodë kyçe kundër diskriminimit të grave në Iran do të ishte përdorimi i të gjitha mjeteve ligjore në dispozicion, të tilla si Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, nënshkrues i të cilit është edhe Irani. Komuniteti ndërkombëtar mund të luajë rol të rëndësishëm duke i bërë thirrje Iranit të ratifikojë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave. Irani është njëri nga gjashtë vendet që nuk e kanë ratifikuar ende këtë konventë të rëndësishme.

Unë kam paguar çmim të lartë për përfshirjen time në luftën për të drejtat e njeriut në Iran dhe për të drejtat e grave në veçanti. Unë jetoj në mërgim të detyruar që nga qershori i vitit 2009. Bashkëshorti im është ende në Iran. Ai është burgosur dhe torturuar për ta detyruar të flasë kundër meje. Motra ime po ashtu është burgosur, ndërsa anëtarët tjerë të familjes kanë qenë të kërcënuar rregullisht.

Këto muaj, kolegu im i vjetër, avokati Abdulfatah Solltani, është dënuar padrejtësisht me 18 vjet heqje lirie.

Shpresoj se në vendet arabe, ku njerëzit janë ngritur kundër diktaturave, ata do të mësojnë nga ajo që ka ndodhur në Iran. Rekomandimi im për gratë arabe është të përqendrohen në forcimin e institucioneve civile dhe shoqërore.

Pranvera e vërtetë arabe do të agojë vetëm kur demokracia të lëshojë rrënjë në vendet që kanë rrëzuar diktaturat e tyre dhe kur grave të atyre vendeve t’iu lejohet pjesëmarrja në jetën civile. (v.t.)
XS
SM
MD
LG