Ndërlidhjet

Kërkohet aksion ndërkombëtar në Siri


Aksion i organizuar nga Amnesty International, për viktimat e Sirisë
Aksion i organizuar nga Amnesty International, për viktimat e Sirisë

Një koalicion prej afro 200 grupeve për të drejtat e njeriut dhe për ndihma humanitare, ka kërkuar që Kina dhe Rusia, ta mbështesin një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të krijonte presion ndërkombëtar ndaj regjimit të Sirisë për ta përfunduar gjakderdhjen njëvjeçare në këtë vend.

Deklaratën, pos tjerash, e kanë nënshkruar edhe grupet Human Rights Watch, Christian Aid dhe Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Kina dhe Rusia, që është aleat shumëvjeçar i regjimit të Sirisë dhe furnizues me armatim, deri tash i kanë bllokuar disa nisma të mbështetura nga Perëndimi dhe Liga Arabe, për miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Deklarata nga grupet për të drejtat e njeriut i bënë thirrje regjimit të Sirisë që menjëherë ta ndalë “goditjen e pakontrolluar me predha të lagjeve me civilë dhe shkeljet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, t’i ndalë arrestimet arbitrare dhe torturën dhe të siguroj qasje urgjente për punëtorët humanitarë, gazetarët dhe vëzhguesit e të drejtave të njeriut”.

Më herët Qeveria e Sirisë për kryengritje i ka fajësuar “grupet e armatosura terroriste”.

Trupat e qeverisë së Sirisë raportohet se e kanë vazhduar bombardimin me artileri kundër bazave të opozitës në provincën veriore Idlib.

Dëshmitarët e cituar nga grupet e aktivistëve thonë se së paku 40 vetë ishin vrarë prej ditës së martë në gjithë Sirinë.

Protesta masive kundër regjimit ka pasur në provincën jugore Dera.

Në qytetin Homs, një bazë e opozitës e cila u ishte nënshtruar sulmeve të pandërprera nga forcat qeveritare, aktivisti Abu Omar al-Homsi, u tha gazetarëve se sirianët do të vazhdojnë të luftojnë për liri.

Ky është revolucion në kuptimin e plotë të fjalës, një revolucion kundër shtypjes, tiranisë dhe korrupsionit, dhe ne aktivistët, të gjithë ne kërkojmë nga populli i Sirisë, që të qëndroj i palëkundur dhe të vazhdojë të dalë në rrugë për të kërkuar liri dhe përmbysje të këtij tirani. Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër”, tha aktivisti Abu Omar al-Homsi.

Në kundërpërgjigje ndaj kritikëve, regjimi i Sirisë ka organizuar tubime në mbështetje të qeverisë në kryeqytetin Damask, Alepo, Latakia dhe në qytete të tjera. Pjesëmarrësit në këto tubime kanë protestuar, siç thonë ata, kundër konspiracionit ndërkombëtar, që në shënjestër e ka Sirinë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se afro 8 mijë njerëz janë vrarë gjatë një viti të kryengritjes, ndërsa më tepër se 230 mijë sirianë janë zhvendosur nga dhuna.

Turqia ka njoftuar se afro një mijë refugjatë e kanë kaluar kufirin dhe kanë kaluar nga Siria në Turqi, në 24 orët e fundit, kështu që tash numri i plotë i refugjatëve sirianë të regjistruar në Turqi, arriti në afro 14 mijë.

Në një shenjë tjetër të izolimit në rritje të regjimit të Sirisë, Arabia Saudite e ka mbyllur Ambasadën e saj në Damask dhe e ka tërhequr gjithë personelin diplomatik.

Kështu, Arabia Saudite u bë njëri nga vendet udhëheqëse arabe në mbështetje të kryengritësve sirianë, dhe ka kërkuar përpjekje ndërkombëtare për shqyrtimin e mënyrave për furnizim me armatim për forcat kundër presidentit Asad.

E përditshmja londineze Gardian ka publikuar, siç thekson gazeta, mijëra e-maile private të presidentit të Sirisë dhe bashkëshortes së tij. Gazeta thotë se këta e-maila i ka marrë nga burimet opozitare siriane.

Sipas artikullit të gazetës, e-mailat tregojnë se presidenti Asad ka marrë këshilla nga aleati i tij Irani se si ta menaxhojë kryengritjen.

Ka dyshime se Asadi kishte bërë shaka me reformat që i kishte propozuar, duke i quajtur ato “mbeturina të ligjeve për partitë, zgjedhjet, mediat”. (f. b.)
XS
SM
MD
LG