Ndërlidhjet

Siria - ndikimi i fundit rus në Lindjen e Mesme


Siri...
Siri...
Në një përpjekje për të fituar mbështetjen ruse, fuqitë perëndimore kanë qarkulluar këtë javë një projekt-deklaratë të zbutur të Këshillit të Sigurimit për trazirat në Siri.

Moska përfundimisht ndryshoi mendje të mërkurën (21 mars) duke u pajtuar me një deklaratë joobligative që shpreh “shqetësimin e thellë për përkeqësimin e situatës në Siri”dhe tërthorazi kërcënon “për hapa të mëtejmë”, po që se presidenti sirian Bashar al Asad nuk i përmbahet një plani paqësor të propozuar nga i dërguari i Ligës Arabe Kofi Anan.

Hezitimi i Rusisë që t’i japë Perëndimit një çek të bardhë reflekton një frikë të thellë të dorëzimit të terrenit kryesor dhe të fundit të epokës sovjetike në rajon, ndërsa po shfaqet një bilanc i ri i fuqive, me shfaqjen e kryengritjes së Pranverës Arabe.

Moska ka pasur lidhje të ngushta ekonomike, politike e ushtarake me elitën qeveritare të Damaskut që nga vitet e 1970-ta.

Kompanitë ruse të armëve mbesin furnizuesit kryesore të ushtrisë siriane, dhe marina ruse vazhdon ta mbajë një bazë në bregdetin mesdhetar sirian të Tartusit - e vetmja bazë jashtë ish Bashkimit Sovjetik.

Kremlini humbi aleatët kryesorë në Lindjen e Mesme kur regjimi i kolonelit Muamer Gadafit ra në Libi në vitin e kaluar, gjë që i bën lidhjet me Asadin edhe më të rëndësishme.

Aleksei Malashenko, një ekspert i politikës së jashtme në Qendrën Karnegie të Moskës shpjegon:

Raporti mes Sirisë dhe Rusisë përbën mbetjen e fundit të politikave sovjetike në Lindjen e Mesme. Po që se nuk është Bashari dhe Siria, atëherë kush do të jetë në një linjë me Rusinë? Askush. Kjo është pika e fundit e pranisë post-sovjetike në rajon. Është tepër vështirë për Putinin dhe elitën ruse që ta pranojë këtë”, thotë Malashenko.

Rusia dy herë i ka vënë veto rezolutave të Këshillit të Sigurimit, të mbështetura nga fuqitë perëndimore dhe Liga Arabe, të cilat do ta dënonin goditjen brutale të Aasadit, që sipas OKB-së ka lënë të vrarë më shumë se 8 mijë civilë. Po ashtu, ka vazhduar ta armatosë Sirinë.

Derisa konflikti në Siri po thellohet, shkalla e plotë e furnizimit me armë mbetet e paqartë. Por, Instituti Ndërkombëtar për Kërkime Paqësore në Stokholm vlerëson se mes vitit 2007 dhe 2011 Rusia ka furnizuar Sirinë me 72 për qind të importit të saj të armëve.

Instituti po ashtu tha se Rusia planifikon që të shpërndajë 36 aeroplanë luftarakë dhe trajnues të llojit Yak-130 dhe aeroplanë MiG-29M2. Vetëm marrëveshja për Yak-130 kap vlerën e 550 milionë dollarëve.

Sipas analistëve edhe marrëdhëniet ekonomike janë të një rëndësie të madhe. Por, preokupimi më i madh i Rusisë është ruajtja e ndikimit politik në rajonin, i cili po ndryshon me shpejtësi të madhe pas revolucioneve në Tunizi, Egjipt dhe në Libi.

Aleksandër Konovalov, president i Institutit për Analiza Strategjike me seli në Moskë, shpjegon:

Më të rëndësishëm sesa faktorët ekonomikë janë ata politikë, për shkak se Lindja e Mesme po merr një trajtë të re. Ekzsiton një situatë e rë në Magreb dhe një bilanc i ri i fuqive. Egjipti nuk po zhduket sa i përket aspektit politik, por roli i tij po bëhet më i vogël. Ekziston një rend i ri në këtë rajon dhe Rusia nuk është indiferente ndaj kësaj”, tha Konovalov.

Megjithatë, ka pasur diosa sinjale se Moska po e zbut pozicionin e saj. Të hënën (më 19 mars), Rusia iu bashkua thirrjeve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për një armëpushim ditor prej dy orësh nga të “gjitha grupet e armatosura” pa “vonesë”.

Për më tepër, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov përdori një gjuhë të ashpër ktirikuese të pazakontë ndaj Asadit të martën( më 20 mars).

Ne besojmë se udhëheqja siriane ka reaguar në mënyrë të gabueshme ndaj shfaqjes së protestave të para paqësore dhe… është duke bërë shumë, shumë gabime”, ka thënë Lavrov për radion ruse Kommersant-FM.

Fatkeqësisht kjo ka bërë që konflikti të arrijë këtë fazë të egër”.

Të mërkurën, ministri i jashtëm tha se Moska mbështet një deklaratë të re të OKB-së “plotësisht” duke shtuar se “gjëja më e rëndësishme është se nuk ka ultimatume”.

Moska thotë se çdo rezolutë që kërkon armëpushim duhet të respektohet njëherazi si nga opozita ashtu edhe nga forcat e Asadit.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se forcat e Asadit duhet të ndalin të parat përdorimin e forcës, sepse ato “bartin përgjegjësinë kryesore për dhunën”.

Analistët thonë se bashkëpunimi potencial i Rusisë me Perëndimin për Sirinë është penguar për shkak të rezultatit që sollën aksionet e NATO-s në Libi, nën mandatin e OKB-së.

Moska frikësohet se Perëndimi dhe shtetet arabe që duan dorëzimin e Asadit mund të përdorin ndonjë rezolutë të OKB-së për të imponuar zgjidhjet e tyre për Sirinë pa e pyetur Rusinë.

Moska pat dhënë bekimin për zonën e ndalim-fluturimit të NATO-s në Libi, kur nuk e përdori veton në Këshillin e Sigurimit. Por, më vonë, dënoi NATO-n se kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe po e përdorte atë për të rrëzuar Gadafin.

Rusia ka qenë e hidhëruar, e frikësuar dhe e mërzitur nga mënyra se si marrëveshja ishte përdorur për zgjidhjen në Libi. Rusia beson se veprimet e aleancës kishin tejkaluar mandatin që i ishte dhënë nga rezoluta e OKB-së, të cilës nuk i kishte vënë veto Rusia”, thotë Konovalov.

Megjithatë, Malashenko argumenton se “është vetëm çështje kohe” largimi i Asadit- pas të cilin veprim, Moska sipas tij, duhet të ndryshojë politikën e saj.

Mund të ndodhë nesër, po edhe në dhjetor. Por, ai do të largohet, nuk ka dyshim për këtë. E përsëris, Rusia duhet të mendojë për të ardhmen”, thotë Malashenko.(a.i.)
XS
SM
MD
LG