Ndërlidhjet

WSJ: Mohamed Merah dhe “Nike" terroristët


Mohamed Merah në një xhirim para disa vjetësh
Mohamed Merah në një xhirim para disa vjetësh
" Wall Street Journal"


Muhamed Merah, francezi 23-vjeçar që vrau katër civilë hebrenj dhe tre ushtarë në një sulm vrasës në muajin e kaluar, është shembull i asaj që inteligjenca perëndimore po i referohet si “Nike terroristët".
Kur vjen koha që të kryhen akte terrorizmi, qasja e tyre është e thjeshtë: Vetëm bëje (Just do it).

Mënyra se si Merah kreu vrasjet i përshtatet plotësisht profilit të kësaj gjenerate të re të terroristëve islamikë.

Ndryshe nga kryerja e akteve spektakulare si ajo e 11 shtatorit, gjenerata e re e terroristëve inkurajohet që të përdorë çdo formë që ka në dispozicion, qofshin ato armë, thika, apo bomba vetëvrasëse.

Arkitekti i këtyre taktikave të reja terroriste ishte Anvar al-Avlaki, kleriku radikal i lindur në Amerikë, i cili ka konceptuar operacionet e Al Kaidës nga Jemeni, deri në kohën kur u vra nga një aeroplan amerikan pa pilot në shtatorin e kaluar. Avlaki, gjuha e përsosur angleze e të cilit e ka shndërruar në një propagandues efektiv të Al Kaidës, rregullisht ka postuar predikime në internet, duke iu kërkuar pasuesve të tij që të kryejnë sulme të thjeshta kundër të “pafeve” perëndimorë.

Sulmet terroristë të Mumbait në nëntor të 2008-s, kur një bandë e Al Kaidës vrau 164 njerëz në një seri sulmesh dhe shpërthimesh, është parë si shembulli i parë i kësaj taktike të re.

Së fundi, në Britani, predikimeve të Avlakit iu hodh faji se motivuan sulmin ndaj anëtarit laburist të parlamentit Stiven Tims në majin e kaluar, kur Roshonara Çoudhri, 31 vjeçe, u përpoq që ta therte për vdekje me një thikë kuzhine.

Zyrtarët britanikë të sigurisë, po ashtu, kanë shkatërruar disa komplote të Al Kaidës, në të cilat militantët po planifikonin të sulmonin qendra tregtare me mjete primitive shpërthyese.

Tani janë rritur shqetësimet se Al Kaida do të përpiqet që të kryejë sulme të ngjashme gjatë Lojërave Olimpike verore në Londër.

Deri më tash zyrtarët britanikë të sigurisë janë përqendruar në pengimin e sulmeve konvencionale të Al Kaidës - për shembull ato të rrëmbimit të aeroplanëve dhe rrëzimit të tyre në Stadiumin Olimpik, ose shpërthimin e ndonjë bombe në kuadër të ngjarjeve sportive.

Skuadrat e Forcës Mbretërore Ajrore "Typhoon" do të vendosen për të përcjellë dhe kapur ndonjë afrim të dyshimtë të aeroplanëve në vendin ku mbahet Olimpiada, përderisa ekipet e Shërbimeve Speciale Ajrore, do të jenë të gatshme gjatë gjithë kohës sa zhvillohen lojërat.

Por, zyrtarët e lartë të inteligjencës britanike janë të shqetësuar se këto masa të rrepta sigurie do të jenë të padobishme po qe se Al Kaida përdor formën e quajtur "Nike terrorist".

Aftësia e Al Kaidës për të kryer sulme në shkallë të gjerë është zvogëluar si rezultat i sulmeve të pareshtura ndaj komandës dhe qendrës së kontrollit të saj në Afganistanin jugor dhe në Pakistan.

Zyrtarët e Inteligjencës thonë se rreth dy të tretat e udhëheqësisë së parë të Al Kaidës janë vrarë ose kapur në dekadën e kaluar.

Organizatorët e mbetur të grupit, edhe më tej preferojnë që të fokusohen në aeroplanët trans-atlantikë, në trenat e udhëtarëve dhe mjeteve tjera transportuese.

Ushtarakët e lartë të tyre kanë shprehur interesimin në shpërthimin e bombave “të ndyta” nukleare në qendrat e mëdha financiare, në Nju Jork, ose Londër.

Por, duket se Al Kaida nuk ka më kapacitetin organizativ për të kryer sulme të tilla. Prandaj, entuziazmi i ri për caqe më të buta dhe fanatikët individualë, si Merahu, po organizojnë vetë sulmet e tyre.

Ndërkohë, po rritet shqetësimi brenda qarqeve inteligjente se Al Kaida do të përpiqet që të rivendosë bazën në Afganistan pas tërheqjes së misionit të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2014.

Hetuesit francezë aktualisht po hetojnë lidhjet e Merahut me aktivistët e Al Kaidës të vendosur në Afganistan. Merah dihet se ka vizituar Pakistanin dhe qytetin jugor të Kandaharit në vitin 2010, ku raportohet se është trajnuar për t’u bërë sulmues vetëvrasës.

Zyrtarët e NATO-s thonë se deri në 100 luftëtarë të Al Kaidës janë kthyer në Afganistan në muajt e fundit, duke i përqendruar aktivitetet e tyre kryesisht në provincën lindore të Kunarit dhe Nuristanit.

Qindra të tjera janë vendosur përgjatë kufirit me Pakistanin fqinj dhe do të ktheheshin po qe se ndryshojnë rrethanat.

Rajan Kroker, ambasadori amerikan në Afganistan, që ka shërbyer edhe në Irak, beson se organizata po planifikon që të përdorë Afganistanin për konceptimin e një fushate të re kundër Perëndimit pasi që të tërhiqen trupat e NATO-s.

“Al Kaida është ende e pranishme në Afganistan", thotë Kroker, nga zyra e tij në rezidencën e fortifikuar rëndë të Ambasadës Amerikane në Kabul.

“Nëse Perëndimi vendos se 10 vjet në Afganistan janë tepër gjatë, atëherë ata do të kthehen dhe herën e ardhshme, nuk do të jetë Nju Jorku ose Uashingtoni, por ndonjë tjetër qytet i madh perëndimor”, thotë Kroker.

Ai shton se forcat amerikane “i kanë vrarë të ngadalshmit dhe budallenjtë. Por, kjo nënkupton se ka edhe më tutje të përkushtuar”.

Këto shqetësime do të komplikohen po qe se zbulohet një lidhje e fortë mes Al Kaidës në Afganistan dhe sulmeve të Merahut në Tuluz. Në secilën formë, është koha që NATO të vlerësojë seriozisht planet e saj të tërheqjes.(a.i.)
XS
SM
MD
LG