Ndërlidhjet

Klinton mbështet sovranitetin, kërkon zbatim marrëveshjesh


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takon Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Hillari Klinton.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi takon Sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Hillari Klinton.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara fuqishëm mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, përderisa ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ajo i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur në Departamentin Amerikan të Shtetit me kryeministrin Hashim Thaçi.

“Kryeministri dhe unë patën rastin që të diskutojmë përparimin qe e ka bërë Kosova në promovimin e së ardhmes së saj evropiane. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm dialogun mes Kosoëvs dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe mirëpresim marrëveshjet që janë arritur deri më tash".

"Kjo është meritë e liderëve nga të dyja vendet që janë të gatshëm për kompromise, në mënyrë që të gjendet rruga më e mirë për të ecur përpara”, tha Klinton, e cila nuk ka kursyer fjalët më të mira për kryeministrin Thaçi, duke thënë se ai po e udhëheq Kosovën drejt asaj të ardhme që e dëshiron si populli i Kosovës ashtu edhe SHBA-ja: partneritet i plotë me institucionet evropiane dhe euro-atlantike.

“Unë besoj fuqishëm në pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës dhe në aspiratat e saj për t’u bërë partnere e plotë në komunitetin ndërkombëtar dhe anëtare e Bashkimit Evropian dhe eventualisht edhe e NATO-s. SHBA do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe të punojë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur çështjet e mbetura mes Kosovës e Serbisë”, u shpreh sekretarja amerikane e shtetit.

Ajo ka përshëndetur hapin e BE-së për të nisur studimin e fizibilitetit për marrvëshjen e Asoccim-Stabilizimit, hap ky që u ndërmor pas arritjes së marrëvshjeve mes Kosovës e Serbisë për bashkëpunimin rajonal, në të cilën Kosova paraqitet me një fusnotë, e cila nga disa në Kosovë u pa si një kompromis që dëmton pavarësinë e Kosovës.

Por, sekretarja Klinton, ka dhënë mbështetje edhe për këtë marrëveshje.

"Shtetet e Bashkuara absolutisht mbesin të përkushtuara për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Marrëveshjet e arritura në dialog fuqizojnë këto parime, përderisa vendosin kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës në forumet me fqinjët e saj, dhe ku Kosova përfundimisht ka zë të barabartë në lidhje me çështjet rajonale. Ne u kërkojmë që të dyja shteteve që të mbesin të përkushtuara ndaj dialogut dhe të zbatojnë plotësisht atë që është arritur deri tash”, ka thënë sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar se para shtetit të ri mbesin edhe më tej shumë sfida.

“Kosova është një demokraci e re. Ne ende kemi një rrugë të gjatë për të kryer reformat, për të forcuar institucionet dhe ekonominë, për një qeverisje të mirë, për luftën kundër korrupsionit dhe agjendën tjetër reformuese me qëllim që ta transformojmë shoqërinë tonë dhe të bëjmë ndryshime pozitive".

"Por, disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë. Kjo është, liria jonë, pavarësia jonë, integriteti territorial dhe sovraniteti, si dhe e drejta jonë për të ekzistuar si një komb krenar në familjen e madhe të kombeve”, tha Thaçi, i cili ka siguruar sekretaren amerikane, se vizioni i tij mbetet një Kosovëb dhe rajon me kufij të hapur dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Kryeministri Hashim Thaci, ka thënë se ëshët krenar për miqësinë mes SHBA-së dhe Kosovës dhe ka vënë në pah domosdoshmërinë e pranisë së vazhdueshme amerikane në rajon.

“Të gjitha shtetet në rajon ndajnë qëllimin dhe vizionin e njëjtë për integrim evropian dhe anëtarësim në NATO. Por, që kjo të ndodhë, neve na duhet prania e Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së, jo vetëm në Kosovë, por edhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Thaçi, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG