Ndërlidhjet

Mbrëmje e qetë në Mitrovicë


Vendi ku ka ndodhur sulmi që la të vdekur Selver Haradinajn, Mitrovicë, 08 prill, 2012
Zyrtarët e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se nata e mbrëmshme në veri të Mitrovicës ka qenë e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se aktualisht gjendja është e qetë.

“Nata ka qenë krejt e qetë. Nuk është regjistruar asgjë që ia vlen për ta përmendur”, tha Hoti.

Ai tha po ashtu se policia vazhdon të jetë e pranishme 24 orë në lagjen e "Tre Rrokaqiejve", dhe në lagjet e tjera ku ka banorë të komuniteteve të ndryshme.

Natën mes së shtunës dhe të dielës ka ndodhur një shpërthim në një banesë në afërsi të "Tre Rrokaqiejve", nga i cili ka mbetur i vdekur 38 vjeçari Selver Haradinaj, dhe janë plagosur 5 anëtarët e tij të familjes.

Autoritetet e drejtësisë e kanë cilësuar sulmin si akt terrorist.

Ende nuk është arrestuar asnjë i dyshuar në lidhje me këtë sulm.

Ndërsa një ditë më parë, një grup serbësh në veri të Mitrovicës nuk ka lejuar Policinë e Kosovës që të vendosin pikat statike në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha se rreth 200 serbë të cilët ishin tubuar në lagjen e banuar me popullatë etnikisht të përzier, kanë penguar vendosjen e shtëpizave të policisë si dhe kanë demoluar kontenjerin.
XS
SM
MD
LG