Ndërlidhjet

PS: Lufta kibernetike dhe paqja


Ilustrim
Ilustrim
" Project Syndicate"


Dy vjet më parë, një pjesë me të meta e kodit kompjuterik, e ka infektuar programin bërthamor të Iranit dhe ka shkatërruar shumë nga centrifugat që përdoreshin për të pasuruar uraniumin.

Disa vëzhgues e deklaruan këtë, që dukej të jetë sabotim, si lajmëtarin e një forme të re të luftës dhe sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leon Paneta, i paralajmëroi amerikanët nga rreziku i një “Pearl Harbor kibernetik” ndaj SHBA-së.

Por, çka në të vërtetë ne dimë për konfliktin kibernetik?

Domenet kibernetike të kompjuterëve dhe aktivitetet elektronike janë një mjedis kompleks i krijuar nga njeriu.

Malet dhe oqeanet është vështirë të lëvizen, por pjesët e hapësirës kibernetike mund të ndizen dhe fiken me një të shtypur.

Është më mirë dhe më shpejt që të lëvizen elektronet përreth globit, sesa të lëvizet një anije e madhe në distanca të mëdha.

Zhvillimi i kushtueshëm i këtyre anijeve- transportuese e me detyra të shumëllojshme dhe të nëndetëseve të flotave - bën që të ketë barriera të mëdha për të depërtuar, duke mundësuar kështu dominimin e marinës amerikane.

Por, barrierat për të hyrë në domenet kibernetike janë shumë të vogla sa që faktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, si dhe shtete të vogla mund të luajnë rol të rëndësishëm me një kosto të ulët.

Në librin tim, “E ardhmja e pushtetit”, kam argumentuar se difuzioni i pushtetit nga qeveritë është një lëvizje e madhe politike e shekullit.

Hapësira kibernetike është një shembull i përsosur. Shtetet e mëdha si SHBA-ja, Rusia, Britania, Franca dhe Kina, kanë kapacitet më të madh sesa shtetet tjera dhe faktorët joshtetërorë për të kontrolluar detin, ajrin, ose hapësirën, por, nuk ka kuptim për të folur për dominim edhe në hapësirën kibernetike.

Nëse për asgjë, duke u varur në sistemet komplekse kibernetike për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake dhe ekonomike, te shtetet e mëdha krijohen dobësi të reja, që mund të eksploatohen nga faktorët joshtetërorë.

Katër dekada më parë, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes krijoi internetin: sot, me më së shumti llogari të hapura, SHBA-ja mbetet shtet udhëheqës në përdorimin ushtarak dhe social të tij.
Por, varësia më e madhe në rrjetet kompjuterike dhe të komunikimit, e bën SHBA-në më të ndjeshme ndaj sulmeve sesa shtetet tjera dhe hapësira kibernetike është bërë burim i madh i pasigurisë, sepse në këtë fazë të zhvillimit teknologjik, ofensiva kryen më shumë punë këtu, sesa defansiva.

Termi “sulm kibernetik” mbulon një gamë të madhe të veprimeve, duke u nisur nga provat e thjeshta për të bërë të palexueshëm ueb-sajtet, refuzimin e shërbimeve, spiunimin dhe shkatërrimin.

Ngjashëm, termi “lufta kibernetike” është përdorur lirshëm për të mbuluar një gamë të madhe të sjelljeve, duke reflektuar dhe përkufizimet e fjalorit të luftës që nis nga konflikti i armatosur e deri te ndonjë kontest armiqësor (për shembull, “lufta mes gjinive”, ose “lufta ndaj drogës”).

Në ekstremin tjetër, disa ekspertë përdorin një përkufizim të ngushtë të luftës kibernetike: një “luftë të përgjakshme” ndërmjet shteteve që konsiston vetëm në konfliktin elektronik në hapësirën kibernetike.

Por, kjo shmang ndërlidhjet në mes të shtresave fizike dhe virtuale të hapësirës kibernetike.

Derisa nuk u shfaq virusi Stuxnet, që infektoi programin bërthamor të Iranit, sulmet në softuerë, mund të kishin vetëm efekte fizike.

Një përkufizim më i dobishëm i luftës kibernetike, është veprimi në hapësirën ajrore, ndikimi i të cilit, rrit, ose është i njëjtë me dhunën e madhe fizike.

Në botën fizike, qeveritë kanë pothuajse monopol në përdorimin e forcës në masë të madhe, mbrojtësi ka një njohuri të madhe të terrenit dhe sulmet përfundojnë për shkak të shkatërrimeve dhe rraskapitjes.

Në botën kibernetike, përkundrazi, faktorët janë të ndryshëm (nganjëherë anonimë), distanca fizike e paprekshme, dhe disa lloje të ofensivave janë të lira.

Për shkak se interneti është dizajnuar për përdorim më të lehtë dhe jo për siguri, aktualisht, sulmuesit kanë përparësi ndaj mbrojtësve.

Pjesa më e madhe ka aftësi të kufizuara për të çarmatosur ose shkatërruar armikun, të okupojë territorin, ose të përdorë strategjitë kundër-sulmuese në mënyrë efektive.

Lufta kibernetike, edhe pse tashmë është vetëm embrionale, është kërcënimi potencial më dramatik.

Shtetet e mëdha me teknikë të zhvilluar dhe burime njerëzore, mund, në parim, të nxisin shkatërrim masiv dhe fizik përmes sulmeve kibernetike ushtarake mbi ushtrinë dhe caqet civile.

Nëse dikush e trajton të ashtuquajturin “hakerizëm” të grupeve ideologjike, më shumë si një shqetësim kokëçarës në këtë fazë, mbeten katër kategori të kërcënimeve kibernetike të sigurisë kombëtare, secila në një horizont të ndryshëm kohor: lufta kibernetike dhe spiunimi ekonomik lidhen në masë të madhe me shtetet; krimet kibernetike dhe terrorizmi kibernetik janë të lidhura në masë të madhe me faktorët joshtetërorë.

Për SHBA-në, kostoja më e madhe aktualisht rrjedh nga spiunimi dhe krimet, por në dekadën e ardhshme, lufta dhe terrorizmi mund të bëhen kërcënime më të mëdha sesa që janë sot.

Sipas pikëpamjes së admiralit Majk MekKonell, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, “herët a vonë, grupet terroriste do të arrijnë sofistikimin kibernetik. Është njësoj si përhapja bërthamore, por më lehtë e realizueshme”.

Shtetet kanë kapacitete të mëdha, por faktorët joshtetërorë ka të ngjarë më shumë që të iniciojnë një sulm katastrofik.

Një “11 shtator kibernetik” mund të ketë të ngjarë të ndodhë më shumë sesa ajo që aq shpesh është përmendur “Pearl Harbor-i kibernetik.”

Është koha për shtetet, që të ulen dhe të diskutojnë se si të kufizojnë këtë kërcënim për paqen botërore.(a.i.)
XS
SM
MD
LG