Ndërlidhjet

AI do të kërkojë lirimin e Hasan Abazit


Logo e Amnesty International
Logo e Amnesty International
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), ka dënuar sërish arrestimin e kosovarit Hasan Abazi nga ana e autoriteteve serbe më 28 mars.

Përfaqësuesja e organizatës, Shon Xhons, ka thënë se Amnesty International do t’i dërgojë letër Qeverisë së Serbisë për të kërkuar lirimin e Abazit.

“AI konsideron se ai është i burgosur politik, sepse arsyeja e vetme që është arrestuar ka të bëjë me faktin se ai është shqiptar. Gjithçka tregon se bëhet fjalë për arrestim nga hakmarrja, pasi në Kosovë janë arrestuar paraprakisht katër serbë. Këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, të cilat janë shumë shqetësuese”, ka thënë Xhons për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës, muajin e kaluar, ka arrestuar 4 pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët bartnin material zgjedhor të Serbisë. Ivica Daçiq ka thënë se vendi i tij do të hakmerret ndaj arrestimeve që u ka bërë policia kosovare katër zyrtarëve serbë të Kosovës.

Sindikalisti kosovar, Hasan Abazi, ishte në rrugë për një konferencë ndërkombëtare në Kroaci, kur është kapur në Konçul të Bujanocit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 1995, për, siç thuhet, “krime kundër kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë”.

Lirimin e tij e kanë kërkuar edhe zyrtarë të Parlamentit Evropian.
XS
SM
MD
LG