Ndërlidhjet

G8 kërkon dialog serioz nga Irani


Ilustrim
Ilustrim
Ministrat e Jashtëm të G8-ës – grupit të vendeve të industrializuara – i kanë bërë thirrje Iranit të bëjë “dialog konstruktiv dhe serioz” në takimin e fundjavës në Stamboll, me gjashtë fuqitë botërore.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, e cila posedon kopjen e draft-deklaratës, ministrat pritet të përfundojnë bisedimet e tyre në Uashington me deklaratën, e cila thotë:

“Dështimi i vazhdueshëm i Iranit për të vepruar në përputhje me obligimet e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për të përmbushur kërkesat e rezolutave të Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, është shkak i shqetësimeve urgjente”.

Teherani ka thënë se do t’i rikthehet tryezës së bisedimeve me propozime të reja.

Takimi ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore – Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – synon zgjidhjen e aktivitetit të kontestueshëm bërthamor të Republikës Islamike.

Ai paraqet negociatat e para mes palëve në më shumë se 14 muaj.

Perëndimi druan se Irani ka për qëllim krijimin e armëve bërthamore, por akuzat e tilla hidhen poshtë nga Teherani zyrtar.
XS
SM
MD
LG