Ndërlidhjet

Në Siri vërshojnë protestat


Damask, 13 prill 2012.
Damask, 13 prill 2012.
Mijëra njerëz kanë mbushur rrugët e Sirisë në ditën e dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.

Aktivistët raportojnë për tre të vrarë në gjithë vendin, pasi forcat e sigurisë kanë përdorur municion të vërtetë për të shpërndarë protestat anti-qeveritare.

Më herët, burimet e njëjta kanë raportuar për përleshje ndërmjet forcave besnike të presidentit sirian, Bashar al-Asad, dhe luftëtarëve rebelë pranë kufirit me Turqinë.

Luftimet duket të jenë shkelja e parë serioze e armëpushimit që ka hyrë në fuqi të enjten, për t’i dhënë fund dhunës që ushtron regjimi ndaj protestuesve antiqeveritarë për plot 13 muaj.

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit pritet të shqyrtojë draft-rezolutën e Kombeve të Bashkuara, e cila parasheh dërgimin e një misioni vëzhgues në Siri, për të monitoruar zbatimin e planit për paqe të të dërguarit ndërkombëtar për krizën, Kofi Anan.

Diplomatët thonë se Këshilli i Sigurimit mund të kalojë tekstin e draft-rezolutës gjatë ditës së sotme.

Rreth 30 vëzhgues do të monitoronin armëpushimin dhe tërheqjen e ushtrisë siriane nga qytetet – ashtu siç parasheh plani i Ananit.

Në Gjenevë, zëdhënësi i Ananit, Ahmad Favzi, ka thënë se armëpushimi është “respektuar relativisht” dhe se “Anani është i vetëdijshëm se në Siri nuk ka situatë të përsosur”.

“Ka të burgosur që duhet të lirohen dhe korridore humanitare që duhet të hapen”, ka thënë Favzi.

Qeveria siriane u ka bërë thirrje dhjetëra-mijëra sirianëve të zhvendosur për shkak të dhunës, të kthehen në shtëpitë e tyre.

Jordania thotë se është strehë e rreth 90,000 refugjatëve sirianë, përderisa në Turqi dhe Liban janë zhvendosur 25,000, respektivisht 16,000 qytetarë të Sirisë. Numri i të zhvendosurve brenda Sirisë nuk dihet.

Shteti sirian është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar. Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për mbi 9,000 të vrarë në më shumë se një vit trazira.
XS
SM
MD
LG