Ndërlidhjet

"Veprime të fuqishme" kundër terroristëve


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton - foto arkiv
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton - foto arkiv
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka bërë thirrje për “veprim të fuqishëm” nga Pakistani, Afganistani dhe Shtetet e Bashkuara, për t’iu dhënë fund sulmeve terroriste në rajon.

Ajo i ka bërë këto komente në përgjigje të sulmeve të militantëve talibanë, që kanë tronditur Kabulin dhe qytetet e tjera afgane të dielën.

Klinton mësohet t’i ketë telefonuar ministres së Jashtme pakistaneze, Hina Rabani Khar, për t’i përcjellë porosinë se “tri qeveritë kanë përgjegjësi të përbashkët për t’u përballur dhe për të mposhtur terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm”.

Qeveria në Kabul ka akuzuar rrjetin terrorist me seli në Pakistan, Hakani, se ka ndihmuar talibanët.

Luftimet 16-orëshe, që kanë nisur të dielën në Kabul, kanë përfunduar të hënën, pas sulmeve në pozicionet militante me helikopterë të NATO-s.

Sipas Qeverisë afgane, në luftime kanë humbur jetën 36 militantë, 8 trupa afgane dhe 3 civilë.

Talibanët kanë marrë përgjegjësinë për sulmet, duke i quajtur ato “fillim i ofensivës pranverore”.
XS
SM
MD
LG