Ndërlidhjet

BE kritikon kosovarët për reformën zgjedhore


EU -- EU flag, 09Oct2011
EU -- EU flag, 09Oct2011
Përfaqësuesi Special i BE-së dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë, përmes një deklarate për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e një përparimi substancial deri më sot në reformën zgjedhore, “veçanërisht duke marrë parasysh mandatin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili do të përfundojë më 22 prill 2012”.

“Rëndësia e një reforme gjithëpërfshirëse është nënvizuar në Raportin e Misionit të Ekspertëve të BE-së për vitin 2010 dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2011, në të cilat është bërë thirrje për një sistem më të thjeshtë dhe më transparent si dhe për shqyrtimin e rasteve të mashtrimit në zgjedhje".

"Po ashtu, Komisioneri evropian Shtefan Fyle, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në maj të vitit 2012, i pati nxitur akterët që ta arrijnë shpejt një qëndrim të përbashkët për reformën zgjedhore, në mënyrë që Kosova t’i plotësojë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, thuhet në deklaratë.

“Duket se është e pamundur që objektivat e këtilla të realizohen brenda afatit të kufizuar në dispozicion. Prandaj, Përfaqësuesi Special i BE-së/Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së të përfaqësuara në Prishtinë i inkurajojnë fuqishëm të gjitha partitë politike që angazhohen më substancialisht dhe ta shqyrtojnë zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore për një afat kohor të kufizuar, në mënyrë që të mundësohet një debat më i thellë, shqyrtimi i rekomandimeve të BE-së, përfshirja e shoqërisë civile dhe realizimi i objektivave fillestare të reformimit dhe thjeshtimit të procesit zgjedhor në Kosovë, në mënyrë që ky proces të jetë përputhje me standardet ndërkombëtare," thuhet ndër të tjera në deklaratë.
XS
SM
MD
LG