Ndërlidhjet

Me 3 Maj, mediat bojkotojnë institucionet e Kosovës


Ilustrim
Ilustrim
Në Ditën e Lirisë së Shtypit mediat kosovare do ta bojkotojnë në tërësi punën e institucioneve të Kosovës në shenjë pakënaqësie me miratimin e Kodit të ri penal i cili jo vetëm që rrezikon punën e tyre por edhe i penalizon ata, kanë transmetuar vendimin e përbashkët përfaqësuesit e medieve në Kosovë.

Ky qëndrim i është prezantuar të mërkurën edhe presidentes Atifete Jahjaga.

Presidentja, ka pritur një delegacion të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe përfaqësuesve të medieve të shkruara dhe elektronike, ku është biseduar pikërisht për Kodin e ri penal, përkatësisht nenet 37 dhe 38 të cilat nga mediat kosovare janë cilësuar të papranueshme.

Kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti tha pas takimit se presidentja ende nuk e ka marrë në shqyrtim Kodin e ri penal, por ajo u ka premtuar gazetarëve se zyra ligjore do t’i shqyrtoj të gjitha vërejtjet e paraqitura.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Arben Ahmeti tha se fillimisht mediat janë pajtuar që më 3 maj, në Ditën e Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të gjitha mediat kosovare do ta bojkotojnë punën e institucioneve të Kosovës në shenjë proteste ndaj vendimit të Kuvendit për të miratuar nenet e papranueshme për gazetarët.

Ndërkaq për hapat e mëtutjeshëm, Ahmeti tha se do të vendoset më vonë, ngase pritet fillimisht të shihet nëse presidentja do ta kthej në ri amandamentim Kodin Penal, siç ka kërkuar sot delegacioni i gazetarëve në takimin e zhvilluar me kreun e shtetit.

“Ajo që e kemi transmetuar te presidentja dhe tash po e themi edhe publikisht është që ekziston një koordinim dhe pajtim i të gjitha medieve që më 3 maj në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të ketë bojkotim të përgjithshëm të punës së institucioneve të Kosovës nga ana e medias, si shenjë pakënaqësie për votën që e kanë dhënë deputetët e Kuvendit të Kosovës e që është votë kundër lirisë së shtypit”, ka thënë Ahmeti.

Ai tha se përfaqësuesit e medieve janë nda të kënaqur me gatishmërinë e presidentes për t’i shqyrtuar të gjitha ankesat, shqetësimet tona, por natyrisht pasi që ekipi e saj ligjor ta ketë bërë edhe analizën legale të këtyre dy neneve.

Kodi i ri penal nuk i është dorëzuar ende presidentes me arsyetimin se ai është mjaftë voluminoz dhe ende nuk është gati teknikisht që t’i dorëzohet.
XS
SM
MD
LG