Ndërlidhjet

Independent: Romni kundër Obamës


Përkrahës të Mit Romnit gjatë një takimi me studentë në Peoria...
Përkrahës të Mit Romnit gjatë një takimi me studentë në Peoria...
" Independent"

Disa orë pasi ish-guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, esencialisht e shpalli fitoren në betejën e gjatë dhe të ashpër për t’u bërë i nominuari presidencial i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, njëri nga rivalët e tij të fundit, Njut Gingriç, jozyrtarisht e ka pranuar situatën e qartë dhe ka premtuar për ta pezulluar fushatën gjatë disa ditëve të ardhshme.

Ndryshimi i cakut të kritikave të Mit Romnit, me ç’rast ai tash ekskluzivisht do t’i drejtojë ato kah presidenti Barak Obama, u bë në një sallë të një hoteli në Nju Hempshir, të martën vonë, pasi ai fitoi në pesë shtete.

Megjithëqë në këto rezultate nuk kishte dyshime, ato i dhanë Romnit një platformë për ta deklaruar fushatën për votime paraprake të përfunduar, ndërsa atë për zgjedhjet presidenciale në nëntor të këtij vitit të filluar.

Kështu, me betejën nominuese shkatërruese republikane, më në fund të përfunduar, Shtetet e Bashkuara, politikisht më të polarizuara se kurrë më parë, do të përfshihen nga përleshja titanike e dy kandidatëve, që ofrojnë vizione krejtësisht të kundërta për të ardhmen.

Do të jetë një periudhë e zhurmshme dhe e papastër me shuma rekorde të parave.

Në fjalimin e tij në Nju Hempshire, Mit Romni e paraqiti shumë qartë strategjinë e tij: në mënyrë të pamëshirshme ta paraqesë presidentin aktual si dëshpërim, i cili ka dështuar t’i përmbushë premtimet për shpresë dhe ndryshim, që i ka bërë në vitin 2008.

Në krye të kësaj strategjie do të jetë ripërtëritja ekonomike e ngadalshme.

“Sonte është fillimi i fushatës së re për unitetin e çdo amerikani, i cili e di në zemrën e vet se ne mund të bëjmë më tepër”, tha Romni në Nju Hempshire dhe shtoi se, “pak vite të fundit ishin ajo që Barak Obama mundi të bëjë më së miri, por kjo nuk është ajo më e mira që Amerika mund ta bëjë. Sonte është fillimi i fundit të pakënaqësisë me vitet e Obamës dhe është fillimi i kapitullit të ri dhe më të mirë, që ne do ta shkruajmë së bashku”.

Çdo dyshim se zoti Romni nuk do të jetë i nominuar i republikanëve u zhduk me tërheqjen nga gara të ish-senatorit Rik Santorum, pikëpamjet ultra-konservatore të të cilit, çdoherë e kanë bërë atë garues të rëndësishëm.

Tash, nëse zoti Gingriç shkon, i vetmi rival i mbetur është kongresisti Ron Pol, një liberal me mbështetës kryesisht të moshës së re. Zoti Pol është i qëndrueshëm, por i parëndësishëm.

Por, finalja e zgjedhjeve presidenciale më 6 nëntor mbetet e paqartë.

Derisa hulumtimet e opinionit tregojnë se zoti Romni e ka filluar vrapin e tij kah Shtëpia e Bardhë me rejting që duket dëshpërues, disa thonë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ai do të jetë rival real kundër zotit Obama, i cili mbetet nën barrën e ripërtëritjes së pasigurt ekonomike. (f. b.)
XS
SM
MD
LG