Ndërlidhjet

FP:Parandalimi i mizorive - punë e të gjitha kombeve


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
" Foreign Policy"

Shkruan: Hashim Thaçi


Të gjitha tragjeditë e tmerrshme që iu kanë ndodhur miliona njerëzve, të cilët janë vrarë në mizoritë masive, mendja njerëzore është më së miri në gjendje t’i kuptojë, duke i kujtuar individët që kemi parë me sytë tanë, qoftë personalisht ose në fotografi.

Në fjalimin e tij madhështor, rreth parandalimit, si dhe ndëshkimit të gjenocidit, presidenti amerikan Barak Obama, e bëri këtë, duke sjellë dy imazhe të personave që iu kishin nënshtruar akteve të çnjerëzimit.

E para ishte "një fotografi e vjetër", që ai vetë e kishte parë gjatë vizitës së Buhenvaldit, në të cilën "burrat dhe djemtë shtriheshin në krevatet prej druri, dhe dallonin fare pak nga skeletet”, përfshirë edhe 16-vjeçarin Elie Uisel.

E dyta ishte vuajtja që xhaxhai i madh i Obamës kishte përjetuar si ushtar në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai "ishte i tronditur nga ajo që pa, kur ndihmoi për të çliruar Ohrdrufin, pjesë e Buhenvaldit".

Dhe, unë i duartrokas Obamës, për deklaratën se "parandalimi i krimeve masive dhe gjenocidit është një interes i sigurisë kombëtare dhe përgjegjësi thelbësore morale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës."

Megjithatë, kur mendoj në lidhje me krimet masive, imazhet më të gjalla që më vijnë në mendje janë ato të bashkatdhetarëve të mi dhe grave, të refugjatëve kosovarë nga konfliktet e viteve ’90, të cilët u qëlluan dhe u granatuan dhe vërshuan përtej kufirit për të gjetur siguri në Shqipëri.

Dhe, kur mendoj se si të parandalohen tragjedi të tilla, duket qartë se Amerika nuk mund ta bëjë këtë e vetme dhe se "përgjegjësia thelbësore morale" na takon të gjithë neve.

Obama ka angazhuar Shtetet e Bashkuara për të bërë gjërat e duhura për këtë kauzë të madhe. Ai shpalli krijimin e një Bordi për Parandalimin e Mizorive, me qëllim të përqendrimit të vëmendjes dhe burimeve të çdo agjencie të qeverisë amerikane në parashikimin dhe parandalimin e mizorive para se ato të ndodhin.

Ai ka iniciuar sanksione të reja kundër atyre që përdorin teknologjinë e informacionit për abuzim të të drejtave të njeriut. Ai ka kërkuar një vlerësim nga zbulimi kombëtar për rrezikun nga mizoritë masive, ka udhëzuar Departamentin e Thesarit që të vendosë mjetet financiare kundër mizorive, dhe ka urdhëruar ushtrinë që të përfshijë parandalimin e mizorive në doktrinën e saj.

Ndërsa janë për t’u përshëndetur, megjithatë veprimet e një kombi të vetëm kurrë nuk do të jenë të mjaftueshme për parandalimin e mizorive të ardhshme. Kjo duhet të jetë, siç ka thënë Obama "puna ... e të gjitha kombeve." Ajo duhet të përfshijë çdo vend, në çdo kontinent, nga kombet e vogla si Kosova deri te fuqitë e mëdha ekonomike, politike dhe ushtarake.

Ne ishim të shqetësuar të gjithë nga aktet çnjerëzore që ndodhën në vendet e përmendura nga Obama, mes tyre Kamboxhia, Ruanda, Bosnja dhe Darfuri. Kapaciteti për mizori nuk njeh kufij rajonale, dhe kështu nuk duhet të kursehet as dëshira për të marrë masa për të shpëtuar jetën dhe për t’i evituar vuajtjet.

Në Kosovë, ne jemi duke punuar shumë për të parandaluar përsëritjen e këtyre gjërave të tmerrshme duke kërkuar krijimin e një demokracie të hapur dhe multi-etnike. Ne kemi hyrë në një dialog konstruktiv me Serbinë për të mbyllur kapitullin e errët të së kaluarës sonë dhe për të filluar një të ri të bazuar në paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë.

Gjatë vizitës sime zyrtare në Shtetet e Bashkuara në fillim të këtij muaji, kam propozuar krijimin e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin për të ndihmuar shqiptarët dhe serbët të lënë të kaluarën e hidhur prapa. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjithë fqinjët tanë, përfshirë Serbinë, për të siguruar se të gjitha krimet masive janë ndalur përgjithmonë.

Kombe të tjera të botës duhet të gjejnë një mënyrë për të bërë kolektivisht dhe ndërkombëtarisht atë që Obama i ka angazhuar Shtetet e Bashkuara ta bëjnë në bazë kombëtare. Duke punuar përmes organizatave ndërkombëtare - globale dhe rajonale - Kombet e botës duhet të krijojnë borde homologe me Bordin e Amerikës për Parandalimin e Mizorive. Ne duhet të bëjmë më shumë në shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet për mizori dhe në koordinimin e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i parandaluar ato.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje, Kombet e Bashkuara duhet të zgjerojnë rolin e këshilltarit special për parandalimin e gjenocidit në një bord të OKB-së ekuivalent me Bordin e Parandalimit të Mizorive.

Në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, funksionet e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut duhet të zgjerohen për të kryer një funksion të ngjashëm për 56 shtetet pjesëmarrëse të organizatës në Evropë, në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në Amerikën e Veriut.

Siç na kujton me të drejtë presidenti Obama, "Kurrë më "është një sfidë për kombet. Është në dorë të të gjithë neve për t'iu përgjigjur kësaj sfide.(a.i.)

XS
SM
MD
LG