Ndërlidhjet

Konfirmohet pjesërisht aktakuza në "rastin BIRN"


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Komunale në Prishtinë e ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër Sami Lushtakut, Rexhep Hotit, Arizona Dibrës, Avni Azemit, Rizah Hajdarit dhe Qani Mehmedit.

Të akuzuarit akuzohen për veprat penale "Shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës, Kërcënim dhe Shpifje", thuhet në një njoftim për media të misionit evropian.

"Pika e akuzës për veprën penale të Kërcënimit është konfirmuar për Sami Lushtakun, Rizah Hajdarin, Qani Mehmedin dhe Avni Azemin, kurse është hedhur poshtë për Rexhep Hotin dhe Arizona Dibrën", thuhet në njoftim.

Pika e akuzës për veprën penale të Shpifjes është hedhur poshtë nga aktakuza kurse procedura është ndërprerë ashtu që pala e dëmtuar ta ndjekë rastin me padi civile.

Pika e akuzës për veprën penale të Shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës është hedhur poshtë për të gjithë të akuzuarit, sqaron misioni evropian, rezultatin për aktakuzën, që e pat ngritur një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (SPRK).

Rasti, siç njofton EULEX-i, ka të bëjë me një fushatë të pretenduar të kërcënimeve kundër gazetares Jeta Xharra dhe një pjesëtari të personelit të saj në Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) nga ana e gazetës Infopress në qershor 2009 pas transmetimit të një programi televiziv (të drejtuar nga Jeta Xharra) gjatë të cilit thuhet se ishte raportuar në mënyrë kritike për kryetarin e komunës së Skenderajt dhe për rajonin e Drenicës.

Prokurori Special dhe pala e dëmtuar kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në afat prej tri ditësh pasi t’u jetë dorëzuar ai.
XS
SM
MD
LG