Ndërlidhjet

Obama: Kosova ka të ardhme premtuese


Ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, pritet nga presidenti amerikan Barak Obama, Uashington, 2 maj, 2012
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, pritet nga presidenti amerikan Barak Obama, Uashington, 2 maj, 2012
Ambasadori Akan Ismaili, gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ia ka dorëzuar zyrtarisht Letrat Kredenciale si Ambasador i Republikës së Kosovës në SHBA.

Presidenti Obama i uroi Ambasadorit dhe familjes së tij mirëseardhje dhe tha se pret që të punojnë së bashku në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes të dy vendeve.

Presidenti Obama, sipas një njoftimi për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme, theksoi se Kosova është shtet i ri me të ardhme premtuese.

Sipas tij, në katër vjetët që nga pavarësia, "Kosova ka pasur arritje të mëdha, duke i realizuar obligimet e veta për krijimin e një shteti sovran, të pavarur dhe për të ndërtuar institucione demokratike dhe multietnike në shërbim dhe mbrojtje të interesave të të gjithë qytetarëve”, njofton MPJ.

Gjithnjë, sipas njoftimit të MPJ-së, Pbama ka thënë se mbetet edhe shumë punë për t’u bërë dhe se iu bën thirrje liderëve të Kosovës që të mbeten të përkushtuar për vazhdimin e përparimit.

"Shtetet e Bashkuara do të mbeten përkrahë Kosovës në përmbushjen e detyrave të vështira, të domosdoshme për avancimin e reformave", citohet të ketë thënë presidenti Obama.

Ai po ashtu shtoi se "Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës", njofton MPJ.

Sipas tij, SHBA-të do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetjen e tyre për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare, që të mund të marrë vendin e saj që i takon brenda Evropës, e tërësishme, e lirë dhe në paqe, thuhet ne njoftim.

Në fjalën e tij, Ambasadori Akan Ismaili përcolli përshëndetjet e Presidentes Jahjaga dhe urimet e sinqerta të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Ai po ashtu "ritheksoi orientimin e përhershëm të Kosovës që si shtet i pavarur dhe demokratik të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie sa më të afërta me SHBA-të, bazuar në miqësinë dhe respektin e përhershëm për popullin amerikan dhe SHBA-të", thuhet në njoftim.

Ambasadori Ismaili është Ambasadori i dytë i Kosovës në SHBA, pas Avni Spahiut, i cili sapo ka përfunduar mandatin e tij në këtë shtet.
XS
SM
MD
LG