Ndërlidhjet

SHBA e shqetësuar për "rastin Bytyçi"


Flamur amerikan
Flamur amerikan
SHBA është shumë e shqetësuar që deri më sot askush nuk është dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999 dhe e fton qeverinë serbe që “pa vonesë t’i vërë përgjegjësit para drejtësisë”, i është thënë agjencisë Beta në Ambasadën Amerikane në Beograd pas shfajësimit të të pandehurve në këtë rast.

“Vendimi i sotëm, në gjykimin e përsëritur kundër dy të akuzuarve se kanë dërguar vëllezërit Bytyçi në një kamp në Serbinë Lindore, ku edhe janë vrarë, tregon se ata që kanë ndihmuar dhe kryer këto vrasje, ende nuk janë arrestuar dhe s’janë sjellë para drejtësisë”, ka thënë ambasada amerikane.

“Presim që autoritetet serbe pa vonesa tjera të sjellin para gjyqit të gjithë indivdët të të gjitha niveleve, që janë përgjegjës për këto vdekje. Ky mbetet prioritet i lartë në marrëdhëniet tona dypalëshe”, citohet të ketë thënë Ambasada Amerikane.

Kjo e fundit, ka thënë se vëllezërit Agron, Ylli dhe Mehmet Bytyçi në Serbi janë kapur si robër të luftës, derisa kanë bërë përpjekje, që t’ia shpëtojnë jetën një familjeje rome nga Kosova dhe siç thuhet “janë ekzekutuar” pa gjykimin e duhur.

Dhoma për krime lufte e Gjykatës së Lartë në Beograd ka shfajësuar sërish Sreten Popoviqin dhe Millosh Stojanoviqin, nga akuzat se kanë ndihmuar në vrasjen e vëllëzërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në Petrovo Sello në vitin 1999.

Duke e arsyetuar aktgjykimin, kryetari i panelit, Ratko Popoviq, ka thënë se "gjatë përsëritjes së procedimeve, nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë ndihmuar personat X në vrasjen e vëllëzërve Bytyçi".

Më herët, prokuroria, pat thënë se për veprën penale, për të cilën akuzoheshin pjesëtarët e ministrisë së brendshme, parashihej dënimi prej së paku pesë vitesh burg.

Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin per shfajesim te Popoviqit dhe Stojanoviqit te shkallës së pare.
XS
SM
MD
LG