Ndërlidhjet

Zveçan: Bastisje në shtëpinë e familjes Veselinoviq


Ilustrim
Ilustrim
Policia e EULEX-it ka ndërmarrë sot në orët e hershme të mëngjesit një aksion kontrolli në fshatin Dolani afër Zveçanit. Shtëpia e bastisur, sipas mediave lokale, është pronë e familjes së Zvonko Veselinoviqit.

Një zëdhënëse e EULEX-it, Irina Gudeleviq tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni është ndërrmarrë me kërkesë të hetuesit të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës me ç’rast njësitë e policisë së EULEX-it për hetimin e krimit të organizuar dhe njësitë e policisë speciale kanë zhvilluar një bastisje në një shtëpi në Dolan të Zveçanit.

“Kjo bastisje është zhvilluar në kuadër të një hetimi që po vazhdon dhe i cili është i ndërlidhur me krimin e organizuar, kontrabandën me mallra dhe kontrabandën me narkotikë”, tha Gudeleviq.

Si rezultat, policia ka konfiskuar dy armë zjarri, municion dhe dokumentacion, ka thënë zëdhënësja e EULEX-it.

Aksioni është ndërrmarrë diku rreth orës pesë të mëngjesit dhe ka zgjatur dy orë.

Ndryshe, mediat serbe kanë raportuar se shtëpia e bastisur i përket Zvonko Veselinoviqit, i cili është arrestuar në Serbi nën dyshime për vepra kriminale në dhjetor të 2011-ës.

Gjatë bastisjes në këtë fshat ishin mbledhur edhe banorë lokalë serbë, të cilët fillimisht nuk e dinin se për çfarë po bëhej fjalë.

Mediat kanë raportuar se për këtë aksion EULEX-i ka përdorur për zbarkim edhe helikopterët.
XS
SM
MD
LG