Ndërlidhjet

Gjyqi ndaj Mlladiqit vazhdon më 25 qershor


Ratko Mlladiq
Ratko Mlladiq
Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për gjenocid dhe krime lufte, Ratko Mlladiqit, do të vazhdojë më 25 qershor, citon AFP një deklaratë të Tribunalit për Krime Lufte në Ish Jugosllavi.

Në javën e kaluar, Alfons Ori, kryesuesi i panelit gjyqësor në gjykimin e Ratko Mlladiqit, ka shtyrë për një afat të pacaktuar procesin gjyqësor, për shkak të mënyrës së paraqitjes së provave nga prokuroria.

Pezullimi erdhi vetëm një ditë pas fillimit të shumëpritur të këtij procesi gjyqësor.
Prokuroria e Tribunalit Ndërkombëtar në Hagë nuk ia ka dorëzuar disa dëshmi mbrojtjes së Mlladiqit, për çka ka qenë ligjërisht e detyruar ta bëjë.

Sipas rregullave në fuqi, mbrojtja duhet të ketë të drejtën të studiojë provat e prokurorisë, para fillimit të gjykimit.

Ndryshe, në gjykimin e ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, prokurorët e Tribunalit të Hagës kanë paralajmëruar paraqitjen e provave që tregojnë se trupat e komanduara nga ai, kanë qenë përgjegjëse për vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Masakra në qytetin verilindor të Bosnjës është vlerësuar si mizoria më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiq, 70 vjeç, përballet me 11 akuza, që përfshijnë edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Prokurorët po ashtu kanë thënë se ai ka udhëhequr fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja, si dhe për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Mlladiq i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza. Nëse shpallet fajtor, Mlladiq mund të përballet me burgim të përjetshëm.
XS
SM
MD
LG