Ndërlidhjet

Ban publikon raportin për Sirinë


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka lëshuar një raport që pasqyron “tablonë e zymtë të zhvillimeve” në Siri.

“Në Siri ndodh çdo ditë nivel i papranueshëm i dhunës dhe abuzimeve, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, si dhe vendosjes së rreth 270 vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në raport.

Në të njëjtin, Ban ka vlerësuar se situata e përgjithshme në Siri mbetet jashtëzakonisht serioze dhe se përparim të vogël ka pasur vetëm në disa çështje.

Ai ka thënë se misioni i OKB-së në Siri ka parë “shkatërrime të konsiderueshme fizike” që nga vendosja e tij në muajin prill.

Ban po ashtu ka deklaruar se forcat që kundërshtojnë qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Asad, tani kontrollojnë “pjesë domethënëse” të disa qyteteve.

Kreu i OKB-së ka vënë në dukje zhvillime të reja që, sipas tij, komplikojnë përpjekjet për stabilizimin e Sirisë.

Ai ka thënë se bombardimet e fundit që kanë vrarë dhjetëra njerëz, sugjerojnë se “grupet terroriste” janë aktive në vend.

Ban më herët ka përmendur praninë e Al Kaidës në Siri, ndërsa Asadi disa herë ka thënë se forcat e tij “luftojnë terroristët”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së u ka bërë thirrje shteteve të mos furnizojnë me armë as Qeverinë siriane, as grupet e opozitës. Por, me gjithë apelin e Banit, televizioni Al Arabia ka raportuar se një anije ruse, e ngarkuar me armë, ndodhet rrugës për në Siri.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare dhe dhuna qysh në mars të vitit të kaluar.

Të premten, aktivistët kanë raportuar për më shumë se 70 njerëz të vrarë, 13 nga ta fëmijë, anembanë Sirisë. Numri më i madh i viktimave thuhet të jetë shënuar në provincën Homs.

Shifrat e Kombeve të Bashkuara flasin për më shumë se 9,000 të vrarë në më shumë se një vit trazira.
XS
SM
MD
LG