Ndërlidhjet

Dënimi i Afridit - biletë për lirinë e tij


 Shakil Afridi
Shakil Afridi

Autorë: Abubakar Siddique dhe Farhad Shinwari

Dënimi i gjatë me burg, që i është shqiptuar mjekut pakistanez, i cili është meritor për zënien e terroristit më të kërkuar në botë, duket se paraqet një shembull të drejtësisë së shtrembëruar.

Qeveria amerikane e ka bërë të qartë se kështu e sheh rastin e mjekut Shakil Afrid, i cili u dënua në Pakistan me 33 vjet burg, për shkak e se e ndihmoi CIA-n, që t’i bie në gjurmë Osama bin Ladenit.

Dënimi i tij në bazë të një ligji të vjetër fisnor, megjithatë, mund të jetë edhe bileta e tij drejt lirisë.

Rregulloret e Krimeve Kufitare (FCR), të hartuara nga kolonialistët britanikë në shekullin XIX, zbatohen ende në rajonet fisnore të Pakistanit. Por, shumë aspekte të rregulloreve, sipas ekspertëve ligjorë, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Pakistanit.

Sher Muhamed Kan, një avokat dhe aktivist për të drejtat e njeriut, me seli në Peshavar, thotë se gjyqi si dhe dënimi i Afridit shkel ligjin themelor të Pakistanit.

"Unë mendoj se dënimi i tij është i paligjshëm dhe jokushtetues. Ai bie në kundërshtim me nenin 10 të Kushtetutës, që garanton gjykim të drejtë të qytetarëve. Ai kishte të drejtë për gjykim të drejtë, por atij iu mohua një gjë e tillë", thotë Kan.

Afridi u arrestua disa ditë pas vdekjes së Bin Ladenit, në qytetin verior të Pakistanit, Abotabad, në maj të 2011-s.

Ai akuzohej se kishte ndërmarrë një fushatë të rreme të vaksinimit, përmes së cilës siguroi ADN-në, e rrjedhimisht konfirmoi praninë e kryeterroristit në qytetin garnizon.

Sipas ligjit pakistanez, rastet e tilla bien nën juridiksionin e autoriteteve ku ka ndodhur krimi - që nënkupton se Afridi është dashur të gjykohet në Abotabad.

Në vend të kësaj, Afridi, u gjykua në fshehtësi, larg nga Abotabadi, në provincën e Kyberit, që është pjesë e Zonave Fisnore Federale të Pakistanit, në veriperëndimin e trazuar të vendit.

Kjo bëri që fati i tij të lidhej me Rregulloret e Krimeve Kufitare, sipas të cilave vendimet merren nga zyrtarët e qeverisë dhe pastaj vulosen nga një këshill i zgjidhur i kryepleqve fisnorë.

I akuzuari nuk ka avokat dhe ka pak burime për të kundërshtuar provat e paraqitura ndaj tij apo për të marrë në pyetje dëshmitarët.

Pas dy muaj të seancave dëgjimore, Afridi u dënua me 33 vjet burg.

Ai u dënua në bazë të akuzave për një shumëllojshmëri të krimeve mbi tradhtinë.

Dënimi menjëherë nxiti debat dhe reagime në Uashington.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se nuk kishte asnjë bazë për ndalimin e Afridit dhe shprehu keqardhje për dënimin.

Në të njëjtën ditë, një panel i Senatit amerikan, tha se do të rekomandojë shkurtim të ndihmave për Pakistanin në vlerë prej 33 milionë dollarësh, që nënkupton, një milion për një vit të dënimit të Afridit.

Islamabadi ka hedhur poshtë kritikat, duke i kërkuar Uashingtonit që të respektojë sistemin e drejtësisë së këtij vendi.

Disa vëzhgues parashohin se Pakistani, megjithatë do të ketë kokëçarje me këtë rast.

Një nga ta është gjenerali në pension Muhamed Saed, një analist i sigurisë, i cili e ka përcjellë së afërmi rastin e Afridit, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me çështjet e shërbimeve të fshehta.

Ai thotë se të metat në procesin legal që kanë çuar në dënimin e Afridit janë të qarta dhe ia lehtësojnë qeverisë pakistaneze rrëzimin e vendimit.

Kjo, pasi, një apel i mundshëm i Afridit, nëse shkon sipas rregullave të Rregulloreve të Krimeve Kufitare, do të përcillej te burokratët e lartë të qeverisë, dhe pastaj te një panel i zyrtarëve të lartë administratorë. Me një fjalë, qeveria ka në dorë fatin e Afridit.

Por, edhe po qe se ai apelon në gjykatë të rëndomtë, sërish sipas avokatit Khan, ai ka përparësi. Së pari, atij do t’i jepet shansi që ta hedhë poshtë vendimin, pasi që asnjëherë ai nuk është dashur të gjykohet jashtë Abotabadit.

Gjenerali Saed shkon aq larg sa sugjeron që i tërë procesi mund të ketë qenë me prapavijë.

Ai thotë se gjykimi është mbajtur sekret dhe larg syve të mediave dhe opinionit publik. Përfundimisht, nënvizon Saed, dënimi ka pasur për qëllim lirimin e Afridit.

“Mendoj se ai është dënuar, meqë ka presion të madh amerikan ndaj Pakistanit për ta liruar atë. Prandaj, ai është dënuar nën këto ligje, në mënyrë që apeli i tij në Gjykatën e Lartë të Peshavarit kundër dënimit të tij të pranohet. Ajo do ta rrëzojë dënimin dhe ai do të jetë i lirë që të largohet nga vendi”, thotë Saed.(a.i.)
XS
SM
MD
LG