Ndërlidhjet

Putini mbështet qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës


Presidenti rus, Vladimir Putin - foto arkivi
Presidenti rus, Vladimir Putin - foto arkivi
Serbia nuk e ka ndërmend të njohë Kosovën si shtet të pavarur, ka thënë presidenti i zgjedhur serb, Tomisllav Nikolliq.

“Ne nuk mund ta njohim Kosovën, edhe me kushtin e ndërprerjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Megjithatë, unë nuk kam dëgjuar se duhet njohur Kosovën, para se t’i bashkohemi BE-së”, ka thënë Nikolliq, transmeton DPA.

Ai i ka bërë këto komente në Moskë, gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ky i fundit ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës. Putin po ashtu është zotuar se do të lëshojë 800 milionë dollarë kredi për Serbinë.

“Ne e shohim Serbinë jo vetëm si partner tonin tradicional dhe shumë të rëndësishëm në Ballkan, por serbët janë edhe vëllezërit tanë shpirtëorë”, ka thënë Putin.

Nikolliqi, i cili do të inaugurohet më 1 qershor, ka bërë vizitën e parë në Moskë, pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit më 20 maj.

Ish-ultranacionalisti serb është zotuar se do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane për Serbinë, porse, në të njëjtën kohë, do të vazhdojë të mbajë edhe lidhjet tradicionalisht të forta me Rusinë.
XS
SM
MD
LG