Ndërlidhjet

National Interest: Tranzicioni serb brengos Perëndimin


Serbi...
Serbi...
“National Interest”

Shkruan: Daniel Server, profesor në Universitetin Xhons Hopkins, në Uashington.



Në përpjekjen e tij të katërt, Tomisllav Nikolliq ka fituar zgjedhjet presidenciale të Serbisë, javën e kaluar, duke mundur presidentin e deritashëm, Boris Tadiq, me një diferencë të ngushtë.

Pjesëmarrja ishte e ulët dhe numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte i lartë. Mekanizmi zgjedhor, ndërkaq, duket se ka punuar mirë dhe drejt.

Shumica e serbëve ishin lodhur me një udhëheqje që kishte dështuar të ofrojë vende pune, vitalitet ekonomik, sovranitet të Serbisë mbi Kosovën apo përparim të mjaftueshëm në përpjekjet e Serbisë për të fituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nikolliqi është një nacionalit etnik, me histori të mbështetjes së Sllobodan Millosheviqit dhe lidhjeve të ngushta me nacionalistin radikal dhe të akuzuarin për krime lufte, Vojisllav Sheshel, nga i cili është ndarë në vitin 2008.

Akuzat se Nikolliqi ka kryer krime lufte në Kroaci në fillim të viteve 1990 nuk janë vërtetuar dhe ai ka fituar padinë për shpifje më 2009.

Që nga ndarja me Sheshilin, Nikolliq ka ndjekur një linjë më evropiane, me premtimet se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. Në një gjë të tillë, ai nuk dallon nga Tadiqi. Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të nevrikosen me Nikolliqin, nëse sjellja e tij është taktike.

Por, si duhet të reagojnë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa për zgjedhjen e Nikolliqit? Me qetësi dhe vendosmëri.

Synime duhet të jenë reformat e vërteta dhe të thella në Serbi, e cila, për më shumë se dhjetë vjet që nga rënia e Millosheviqit, ka dështuar të pastrojë plotësisht shërbimet e tij të sigurisë, të hetojë përfshirjen e nivelit të lartë në krime lufte, të heqë dorë nga kontrollimi i veriut të Kosovës apo të mbështesë krijimin e një qeverie të qëndrueshme në Bosnjë.

Tadiqi i përkëdhelur nuk ka bërë punë. Ai ka kërkuar mbështetjen e votuesve nacionalistë me premtimet për rikthimin e Kosovës dhe mbështetjen e entitetit serb në Bosnjë. Presidenti i saj gjithnjë e më radikal ka bërë fushatë të hapur për Tadiqin, por pa dobi.

Disa në Bruksel dhe Uashington do të vazhdojnë të fusin duart në formimin e qeverisë së re, duke shtyrë Partinë Demokratike të Tadiqit të udhëheqë me shumicën në Parlament. Gjërat mund të zhvillohen kështu, edhe pse partia e Nikolliqit ka fituar më shumë ulëse.

Megjithatë, nuk ka asnjë arsye për të besuar se një koalicion qeveritar, i udhëhequr nga Partia Demokratike, por nën presidencën e Nikolliqit, do të jetë më i mirë në perspektivën evropiane apo amerikane, sesa qeveria në largim nën presidencën e Tadiqit.

Përgjegjësia e partisë së Nikolliqit edhe në nivelin presidencial, edhe në atë qeveritar, do të ishte një rezultat më i qartë.

Alternimi në pushtet është një tipar thelbësor i sistemeve të vërteta demokratike. Kjo ka ndodhur tashmë në Serbi, për herë të parë që nga rënia e Millosheviqit.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të njohin vullnetin e popullit serb: ashtu si edhe të tjerët në Evropë, ata kanë dashur ndryshime. Në Serbi, e vetmja alternativë ishte versioni më nacionalist.

Brukseli dhe Uashingtoni tani duhet t’i bëjnë të qarta linjat e kuqe. Pas formimit të shumicës parlamentare dhe emërimit të qeverisë, ata duhet t’i kërkojnë Beogradit – i cili vetë do të kërkojë datën e negociatave për anëtarësim në BE – t’i japë fund rezistencës ndaj pavarësisë së Kosovës, të nxisë serbët e Bosnjës drejt pranimit të plotë të Qeverisë në Sarajevë dhe të nisë reformat e thella të shërbimeve të sigurisë.

Nuk ka asnjë arsye për të përkëdhelur Nikolliqin, i cili në të kaluarën e ka dëshmuar veten pragmatik përballë kërkesave të qarta dhe të forta.
XS
SM
MD
LG