Ndërlidhjet

Rexhepi konfirmon plagosjen e disa personave në veri


Bajram Rexhepi
Bajram Rexhepi
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar plagosjen e disa personave gjatë përleshjeve të sotme në veri të Mitrovicës, në mes të KFOR-it dhe banorëve lokalë.

Misioni paqeruajtës i NATO-s ka bërë përpjekje të largojë barrikadat në fshatin Rudarë, ku edhe ka hasur në rezistencën e banorëve lokalë.

Në një prononcim për mediat në Prishtinë, Rexhepi ka thënë se turma e serbëve ka shtënë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, kurse ky i fundit ka përdorur gazin lotsjellës, plumbat e gomës dhe topat e ujit për shpërndarjen e tyre.

Rexhepi ka pranuar se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që ka bërë të ditur se KFOR-i ka larguar dy barrikada.

Sipas tij, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it janë në gjendje gatishmërie në rast të nevojës.

Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në veri që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31.
XS
SM
MD
LG