Ndërlidhjet

TI: Korrupsioni minon stabilitetin ekonomik evropian


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese


Organizata anti-korrupsion, Transparency International, thotë se raportet e ngushta ndërmjet bizneseve dhe qeverive po e mundësojnë korrupsionin dhe e minojnë stabilitetin ekonomik në Evropë.

Ky vlerësim u bë në raportin më të ri të kësaj organizate, i publikuar të mërkurën, në të cilin theksohet se “hendeqet në qeverisje” kanë kontribuar në skandalet financiare dhe politike në pothuajse secilin shtet evropian gjatë vitit 2011.

Partitë politike, bizneset dhe administratat shërbyese civile thuhet se janë lojtarët më të dobët në luftën kundër korrupsionit në gjithë Evropën.

Nga ana tjetër, institucionet publike mbikëqyrëse, siç janë auditorët shtetërorë, ombudspersonat dhe komisionet zgjedhore, kanë punuar më së miri.

Transparency International thotë se asnjë shtet evropian nuk ka marrë faturën e pastër shëndetësore nga i ashtuquajturi “kontrolli i integritetit” mbi korrupsionin.

Raporti thekson rritjen e shqetësimit në opinionin e përgjithshëm në Evropë se korrupsioni është në rritje.

Hulumtimi tregon, po ashtu, se shumë qeveri nuk japin llogari të mjaftueshme për financat dhe kontratat publike.

Paul Zoubkov, një koordinator në Transparency International, që është marrë me përgatitjen e raportit, tha se kriza e vazhdueshme financiare e Evropës ka shpalosur fakte mbi korrupsionin.

Në veçanti, raporti vë Greqinë, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën-katër shtete, problemet fiskale të të cilave rrezikuan monedhën euro - në krye të listës për “mangësi serioze në sektorin e llogaridhënies dhe problemeve të thella të mungesës së efikasitetit, shpërdorimit dhe korrupsionit”.

Zoubkov konkludoi se lidhjet mes korrupsionit dhe krizës në eurozonë nuk mund të injorohen më.

“Me qëllim të rrugëdaljes nga kriza e euros, është esenciale që këto hendeqe në mbrojtjen kundër korrupsionit të adresohen. Me qëllim që të ecim përpara dhe të sigurojmë qëndrueshmërinë dhe sigurinë e portofolit publik, kërkohet transparencë e plotë e vendimeve që janë ndërmarrë nga politikanët dhe për mënyrën e shpenzimit të fondeve publike”, tha Zoubkov.

Ai, gjithashtu, theksoi se Transparency International është e shqetësuar për “kthimin prapa të përparimit pozitiv” të luftës ndaj korrupsionit në mesin e vendeve të BE-së, të cilat i janë bashkuar bllokut në vitin 2004.

“Ajo që kemi zbuluar në shtetet anëtare të reja, kemi vërejtur një kthim prapa në luftën kundër korrupsionit përfshirë Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë. Në Hungari, e kemi parë problemin në ndarjen e pushteteve, në Republikën Çeke në prokurimin publik, dhe ngjashëm në Sllovaki. Që të tri shtetet kanë probleme serioze me financimin e partive politike”, tha Zoubkov.

Raporti i Transparency International është pjesë e një iniciative pan-evropiane kundër korrupsionit që mbështetet nga Komisioni Evropian. Ky paraqet vlerësimin e parë sistematik të grupit mbi kapacitetin e luftës kundër korrupsionit në 25 shtete anëtare.

Në rekomandimet e tij, raporti iu bën thirrje ligjvënësve evropianë, që ta bëjnë më transparente fushatën e lobimit dhe atë financiare.

Në të thuhet se 19 nga 25 shtetet evropiane duhet që edhe më tej të rregullojnë lobimin, dhe vetëm 10 nga to e kanë të ndaluar moszbulimin e donacioneve politike.

Raporti thotë se qeveritë në Evropë duhet të imponojnë rregullore të detyrueshme mbi financimin e partive politike- përfshirë rregulla të qarta mbi zbulimin e donacioneve dhe mbylljen e vrimave ligjore.

Në fund, Transparency International tha se duhet të ketë ligj që mbron ata që zbulojnë korrupsionin, si në sektorët privatë, ashtu edhe në ata publikë. (a.i.)
XS
SM
MD
LG