Ndërlidhjet

Kosovë: Zyra administrative në Mitrovicë hapet brenda muajit


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Zyra administrative në veri të Mitrovicës do të hapet deri në fund të këtij muaji, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Kjo zyrë, është menduar se do të jetë hapi i parë drejt formimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut mbi bazat e Planit të Ahtisarit.

Për shkak të rrethanave dhe situatës së sigurisë në atë pjesë, ku serbët lokalë nuk pranojnë autoritetet e shtetit të Kosovës, qeveria dhe faktori ndërkombëtar parashohin të ndërmarrin edhe masa të shtuara sigurie. Kuçi ka thënë se ka garanci të plota se punëtorët e kësaj zyre administrative do të kenë siguri maksimale.

“Kemi garanca të plota nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i që do ta ruajnë atë zyre”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, numri i të interesuarëve për t’u punësuar në këtë zyre është shumë më i madh se sa që kishte pritur qeveria.

Pas përmbylljes së procedurave të konkursit dhe përzgjedhjes së stafit, Kuçi ka deklaruar se tani po bëhen përpjekje, që brenda këtij muaji, kjo zyre të funksionalizohet.
XS
SM
MD
LG