Ndërlidhjet

Afganistan: E plagos gruan pse nuk bëri fëmijë


Gulsika...
Gulsika...
Gulsika ishte 13 vjeçare kur e detyruan në një martesë të aranzhuar. Dhjetë ditët e para, ajo thotë se ishin të këndshme, por pastaj nisën abuzimet.

Sot, shtatë vjet më vonë, ajo jeton në një shtëpi të sigurt në Kabul duke u shëruar nga plumbat e marrë.

Burri i saj gjendet në burg në pritje të procesit gjyqësor nën akuzat se e ka qëlluar atë në muajin maj, në shtëpinë tyre në provincën veriore të Takarit.

Në një intervistë për Radio Afganistanin e Lirë të Radios Evropa e Lirë,
Gulsika, e lindur në Kandahar, që tani është 20 vjeçe flet për vuajtjet e saj.

Ajo përshkruan traumat e saj, kur, siç thotë, burri i saj e qëlloi me armë zjarri, për shkak se nuk mund të bënte fëmijë me të.

Zorrët më dolën nga barku dhe shtriheshin në tokë. Vjehrra ime m’i ka kthyer sërish brenda dhe ma ka lidhur barkun me një copë rrobe. Më thoshte ‘mos qaj’. Unë nuk mund të mirrja frymë. E kisha vështirë të thithja ajrin”, tregon Gulsika.

Përvoja e hidhur e Gulsikës, iu bë e ditur RFE/RL-së nga Komisioni i Pavraur për të Drejtat e Njeriut, disa muaj pas një rasti tjetër të dhunës familjare, që u shndërrua në tituj botërorë, ku një nuse 15 vjeçe afgane, ishte torturuar nga i shoqi dhe familjarët e tij dhe ishte mbajtur e mbyllur për disa muaj.

Fondi Zhvillimor për Gratë i Kombeve të Bashkuara thotë se afër 90 për qind e grave afgane pësojnë nga ndonjë lloj i dhunës familjare, duke e bërë shtetin, si vendin më të rrezikshëm në botë për gratë.

Sipas Gulsikës, telashet kanë nisur, kur i është bërë presion nga familja e saj që të martohej me kunatin e së motrës. Kur, ajo, nuk arriti të lindë fëmijë, edhe bashkëshorti, edhe vjehrra nisin ta keqtrajtonin.

Në përpjekje për të zgjidhur problemin, Gulsika thotë se i vëllai i dha paratë për t’u vizituar te mjeku, i cili pas ekzaminimit, sugjeroi se bashkëshorti i saj, dhe jo ajo, nuk mund të bënte fëmijë.

Mjekët kryen testet dhe më bënë ultrazërin. Ata më thanë se unë isha në rregull. Unë i thashë vjehrrës sime: ‘me mua është çdo gjë në rregull. Tash, bëj dicka për tët bir”, tregon Gulsika.

Ajo thotë se situata u përkeqësua kur burri i saj nisi aferën me një nga të afërmet e tij.

Pas plagosjes, fqinjët e ndihmuan Guliskën të shkojë në spital, kur mjekët arritën t’ia shpëtojnë jetën. Ajo tashmë pothuajse është shëruar nga plagët, por ende ka probleme në të ecur.

Bashkëshorti i saj është në burg, duke pritur procesin gjyqësor. Gulsika shpreson se ai do të marrë dënim afatgjatë.

Ata mund të më vrasin, por unë nuk kthehem më te ai. Nuk më kanë trajtuar mirë. Më kanë rrahur e torturuar. Kamë vuajtur shumë. Shpresoj të mos më detyrojnë. Nuk dua të martohem sërish, me të vërtetë”, shprehet Gulsika.(a.i.)
XS
SM
MD
LG