Ndërlidhjet

Jahjaga fton investitorët amerikanë


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në SHBA, u takua me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Ajova, me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me afaristët në Kosovë, thuhet në një njoftim për media të presidencës.

Në takimin e organizuar nga gjenerali Timothy Orr, i Gardës Kombëtare të SHBA-së, presidentja Jahjaga theksoi se vizita në Ajova dëshmon lidhjen e fuqishme me Republikën e Kosovës, përmes marrëveshjes së nënshkruar për Partneritet shtetëror.

Presidentja vlerësoi rolin e SHBA-së për paqen, lirinë dhe demokracinë në Kosovë dhe tha se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve po thellohet edhe më shumë me partneritetin mes Iowa-s dhe Republikës së Kosovës.

Duke folur për zhvillimin ekonomik Presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e Kosovës po punojnë për të nxitur rritje të qëndrueshme në të gjitha fushat e ekonomisë, duke e mbajtur trendin pozitiv të rritjes.

Ajo theksoi se Kosova është një treg atraktiv për investime të huaja me taksa të ulta, sistem bankar të qëndrueshëm, me ligje që mbrojnë investimet dhe me fuqi punëtore të re dhe të shkolluar.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë të krijojnë një mjedis të sigurt për investitorët e huaj dhe ata vendor, duke përmirësuar edhe me të tutje klimën e biznesit, duke zhvilluar infrastrukturën në vend dhe duke e nxitur tregun e lirë. Ne po punojmë së bashku me FMN-në dhe Bankën Botërore, për të përcaktuar aktivitetet që do të përshpejtonin rritjen ekonomike, do të krijonin vende të reja të punës dhe do të mbështesnin kohezionin social”, tha presidentja Jahjaga.
XS
SM
MD
LG