Ndërlidhjet

WP: Rrëzimi i aeroplanit turk – paralajmërim


Turqi...
Turqi...
"Washington Post"


Rrëzimi i aeroplanit luftarak turk nga ana e qeverisë së Sirisë, ka shërbyer si paralajmërim i ashpër se ushtria e saj është e aftë ta shtojë mbrojtjen e sofistikuar kundër armiqve potencialë, duke e komplikuar intervenimin e stilit libian.

Turqia ka thënë se nuk ka plane të menjëhershme për tu përgjigjur ndaj incidentit me aksion ushtarak. Por, kryeministri i Turqisë, ka tërhequr vërejtjen se i ka urdhëruar komandantët përgjatë kufirit jugor të Turqisë, që çdo qasje ushtarake siriane ta trajtojnë si kërcënim, duke i shtuar shqetësimet se Turqia, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet, mund të përfshihet në luftën rajonale.

Detajet e incidentit me aeroplan përgjatë bregdetit sirian ende po zbulohen, por zyrtarët thonë se Siria e ka forcuar mbrojtjen e saj ajrore me blerje nga Rusia, pasi një aeroplan luftarak izraelit e kishte shkatërruar në reaktor atomik në ndërtim në shkretëtirën e Sirisë, para afro pesë vitesh.

Së paku në letër, zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se mbrojtjet ajrore të Sirisë duket se janë më të forta se sa ato që i ishin kundërvënë NATO-s në Libi dhe bile më të fuqishme se ato të Iranit.

“Unë mund t’i emëroj sistemet më të këqija, por ato janë në vendet siç është Kina”, tha në zyrtar i Forcës Ajrore, që foli nën kushte të anonimitetit pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për këtë çështje në mënyrë publike.

Shqetësimet për kapacitetin e ushtrisë së Sirisë janë e vetmja arsye që komuniteti ndërkombëtar ka refuzuar të intervenoj në goditjen e përgjakshme të presidentit Bashar al-Asad ndaj grupeve opozitare.

Por, zyrtarë të mbrojtjes dhe analistë ushtarakë thonë se për ta mbizotëruar mbrojtjen ajrore të Sirisë kërkohet përpjekje e qëndrueshme e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, që me gjasë mund të çoj në viktima civile.

Ata që kërkojnë kujdes, tërheqin vërejtjen se çfarëdo aksioni ushtarak rrezikon që forcat perëndimore të zhyten në atë që esencialisht është luftë civile sektare, që mund të përhapet në rajon.

Në kohën kur ushtria amerikane ende po lufton në Afganistan dhe po ripërtërihet nga okupimi i gjatë dhe i përgjakshëm i Irakut, brenda Pentagonit ka rezistencë ndaj përdorimit të forcës në rastet kur nuk janë kërcënuar në mënyrë direkte interesat e Shteteve të Bashkuara.

“Ne mund të merremi me mbrojtjet ajrore të integruara të Sirisë”, tha gjenerali i pensionuar, Dejvid Deptula, i cili i ka mbikëqyrë përpjekjet e inteligjencës në Forcën Ajrore në Pentagon.

Por, sipas tij, “është më tepër sfiduese se Libia, pasi kanë disa nga raketat më të reja tokë-ajër; megjithatë, para se të shqyrtohet se si, ne duhet të diskutojmë se përse”.

“Sulmi izraelit i nxiti sirianët të blejnë disa sisteme shumë të afta ruse”, thotë Dagllas Beri, specialist për hapësirën ajrore në Institutin për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Londër. (f. b.)
XS
SM
MD
LG