Ndërlidhjet

NYT: Tregu i zi i shitjes së organeve - fenomen i ri në Serbi


Ilustrim
Ilustrim

"New York Times"


Pavle Mirçov dhe partnerja e tij, Daniela, me nervozizëm e kontrollojnë imejlin e tyre për çdo 15 minuta, të pashpresë për shpëtim ekonomik, dhe presin ndonjë blerës, i gatshëm të paguajë afro 40 mijë dollarë për njërën nga veshkat e tyre.

Ky çift, prindër të dy të rinjve, i kanë hedhur organet e tyre në shitje në një faqe sekrete të Internetit para gjashtë muajsh, pasi zoti Mirçov, 50 vjeçar, e humbi punën në një fabrikë të mishit në qytetin e tij. Ai nuk ishte në gjendje të gjejë ndonjë punë, kështu që gjendja e pashpresë po shtohet gjithnjë e më tepër, thotë ai.

Kur aktualisht i vdiq babai, zoti Mirçov, nuk kishte mundësi për gur varri. Lidhja telefonike i ishte ndërprerë. Një porcion i ushqimit në ditë me bukë dhe salsiçe ishte pothuajse gjë e jashtëzakonshme për këtë familje.

“Kur ju duhet ta përgatitni tavolinën me ushqim, shitja e veshkës nuk duket diçka si sakrificë”, tha zoti Mirçov.

Të ballafaquar me varfëri të skajshme, disa evropianë synojnë shitjen e veshkave, mushkërive, palcës së eshtrave, thonë ekspertët.

Ky fenomen është relativisht i ri në Serbi, vend që ishte i goditur nga lufta dhe po ballafaqohet me krizë financiare, që e ka përfshirë kontinentin.

Përhapja e shitjes ilegale të organeve në Evropë, është mundësuar nga Interneti, pastaj është nxitur nga mungesa globale e organeve për transplantim dhe në disa raste, për shkak të trafikantëve të paskrupull, të gatshëm që ta eksplantojnë varfërinë ekonomike.

Në Spanjë, Itali, Greqi dhe Rusi, shpalljet nga njerëzit që shesin organe, e po ashtu edhe flokë, spermë dhe qumësht gjiri, janë shfaqur në Internet, ndërsa çmimet e kërkuara për mushkëri janë afro 250 mijë dollarë.

Në fund të muajit maj, policia izraelite i ka arrestuar 10 anëtarë të në unaze ndërkombëtare të krimit, të dyshuar për trafikim të organeve në Evropë, kanë thënë zyrtarë të prokurorive të Bashkimit Evropian.

Sipas zyrtarëve, të dyshuarit i kanë në shënjestër popujt e varfër në Moldavi, Kazakistan, Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi.

“Trafikimi i organeve është industri në rritje”, tha Xhonatan Ratel, prokuror special i Bashkimit Evropian, i cili e udhëheq rastin e shtatë njerëzve të akuzuar për sjelljen e viktimave të varfra nga Turqia dhe ish vendet komuniste në Kosovë, për t’i shitur mushkëritë e tyre me premtime të rrejshme për pagesa deri në 20 mijë dollarë.

“Grupet e organizuara kriminale e shfrytëzojnë dobësinë në të dy anët e zinxhirit furnizues: njerëzit që vuajnë nga varfëria kronike dhe pacientët e pasur që do të bëjnë çdo gjë për të mbijetuar”, thotë Ratel.

Shtetet kryesore të furnizimit tradicionalisht kanë qenë Kina, India, Brazili dhe Filipinet.

Por, ekspertët thonë se evropianët janë gjithnjë e më të lëndueshëm.

Tregu i organeve në Serbi është ilegal dhe dënimi mund të jetë deri në 10 vjet burgim. Por, kjo nuk i zmbraps njerëzit në komunën e varfër Dolevac, në pjesën jugore të Serbisë, me afro 19 mijë banorë.

Qeveria në Serbi e ka refuzuar një përpjekje të banorëve për regjistrimin e një agjencie lokale për shitjen e organeve të tyre dhe gjakun jashtë vendit për profit.

Violeta Çavac, që angazhohet për këtë agjenci, tha se papunësia në Dolevac është 50% dhe më tepër se 3 mijë njerëz kanë dëshiruar të marrin pjesë.

Pa mundësi që në mënyrë legale t’i shesin organet e tyre, thotë ajo, banorët tash po përpiqen t’i shesin pjesët e trupit në Bullgarinë fqinje dhe në Kosovë.

“Do ta shes veshkën, mëlçinë, ose do të bëjë çdo gjë të domosdoshme për të mbijetuar”, thotë ajo.

I përkulur mbi kompjuterin e tij në Kovin, qytet afro 40 kilometra nga Beogradi, zoti Mirçov, nga fillimi i shkrimit, ia tregon reporterit shpalljen e tij për shitje të veshkës, që përfshinë edhe tipin e gjakut dhe numrin e telefonit.

“Më duhet ta shes veshkën, tipi i gjakut A”, thuhet në shpalljen në Internet dhe theksohet se “situata ime financiare është shumë e vështirë. E kam humbur punën dhe më duhen para për shkollim për dy fëmijët e mi”.

Një grua nga Maqedonia kishte ofruar 24 mijë dollarë për veshkën e partneres së zotit Mirçov, Daniela, por çmimi ishte për 12 mijë më i vogël se sa kërkonte ajo.

Zyrtarë të qeverisë insistojnë që Serbia nuk është aq e varfër sa t’i detyrojë njerëzit të shesin pjesët e tyre të trupit, ndërsa zyrtarë të policisë thonë se asnjë rast për ndjekje për trafikim të organeve nuk është shënuar në Serbi në 10 vitet e kaluara.

Ekspertët, që e studiojnë shitjen ilegale të organeve, thonë se ndjekjet penale janë të rralla, pasi transplantimet zakonisht bëhen në vendet e treta kështu që policia e ka vështirë t’i gjurmojë ato.

Mjeku Gjoko Makshiq, nefrolog i njohur, që e udhëheq programin e transplantimit në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd, ka shprehur dyshim se në Serbi ka shitje ilegale të organeve.

Por, Millovani, 52 vjeçar, ish punëtor i një fabrike nga një fshat në pjesën jugore të Serbisë, tha se ia “ka dhënë” veshën e tij një politikani të pasur lokal, i cili në këmbim, e ka futur atë në listën e rrogave dhe i ka ofruar atij ilaçe.

Transplantimi është kryer në një spital publik në Beograd, thotë ai, ndërsa të dy personat kishin përdorë kartela të rrejshme të donatorëve që sugjeronin se ata ishin vëllezër. (f. b.)
XS
SM
MD
LG