Ndërlidhjet

Mud: S’i dua vëzhguesit e armatosur në Siri


Pamje të luftimeve në Siri
Pamje të luftimeve në Siri
Kreu i misionit mbikëqyrës ushtarak i Kombeve të Bashkuara në Siri, majorgjenerali Robert Mud, tha se kundërshton armatosjen e ekipit të tij 300 anëtarësh.

“E kam bërë mjaft të qartë. Sipas mendimit tim, nuk është opsion i mirë t’i japësh një vëzhguesi armë të forta”, tha ai gjatë një konference në kryeqytetin sirian.

Një ekip i rreth 300 vëzhguesve të paarmatosur ishte angazhuar më 12 prill për të monitoruar armëpushimin që, në fakt, nuk u zbatua asnjëherë.

Për shkak të luftimeve të ashpra, vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara patën suspenduar operimet e tyre kah mesi i qershorit.

“Angazhimi ynë me njerëzit sirianë, familjet siriane mundësohet për shkak se nuk jemi të armatosur dhe se mirëpresim dhe respektojmë mikëpritjen e njerëzve sirianë”, theksoi Mud.

“Është krejt çështje tjetër në momentin që paraqitesh me një armë dhe troket në derën e dikujt”, shtoi ai duke u bërë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të ndalin dhunën dhe të nisin dialogun.
XS
SM
MD
LG