Ndërlidhjet

Thaçi mbështet vendimin e Kushtetueses


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri I Kosovës, Hashim Thaçi e ka mbështetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur të premten se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

Ai ka shprehru vlerësimin e lartë, për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që sipas tij “kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

“Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura. Prandaj, si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatësdhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

“Në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët. Unë kam besim në pjekurinë tonë politike”, ka theksuar Thaçi.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Marrëveshja midis liderëve politikë pati mundësuar tejkalimin e krizës dhe situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në shkurt të vitit 2011, ishte jokushtetuese.

Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.
XS
SM
MD
LG