Ndërlidhjet

Dell: Marrëveshjet politike nuk janë mbi Kushtetutën


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, në një intervistë për Zërin e Amerikës, bëri thirrje për respektimin e opinionit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e presidentes.

Ai tha se, marrëveshjet politike nuk ngrihen mbi kushtetutën e një vendi.

"Çështja e vendimit për mandatin e presidentes, duhet parë në kontekstin e vet. Kur marrëveshja politike, që çoi në zgjedhjen e presidentes Jahjaga, u arrit prillin e kaluar, ishte bërë me qëllim të mirë nga të gjitha palët. Ajo që nuk është kuptuar në atë kohë është qëndrimi që do të mbajë Gjykata rreth çështjes së shkurtimit të mandatit".

"Ky është tash një fakt politik i jetës dhe duhet ta pranojmë atë. Mendoj se pakoja e propozuar e reformave është ende e rëndësishme. Mendoj se është me rëndësi që të ecet përpara me provizionet e lejuara nga Gjykata, sepse ato që kishin kuptim për kombin në prill, kanë ende kuptim edhe sot", tha ndër të tjera Dell.

Kushtetuesja ka vendosur të premten se propozimi për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të presidentes së Kosovës, nuk është në pajtim më Kushtetutën.

Presidentja Jahjaga u zgjodh në këtë post më shtatë prill të vitit 2011, pas një marrëveshjeje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Me këtë marrëveshje përfshihej edhe pajtimi për ndryshimin e Kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta.

Sipas kësaj marrëveshjeje, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.
XS
SM
MD
LG