Ndërlidhjet

OKB: Në Tremseh të Sirisë u sulmuan aktivistët dhe dezertorët


Vëzhguesit e OKB-së në Siri
Vëzhguesit e OKB-së në Siri
Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara në Siri thonë se në shënjestër të sulmit në fshatin Tremseh, duket ishin shtëpitë e dezertorëve ushtarakë dhe aktivistëve.

Vëzhguesit kanë hyrë në këtë fshat gjatë ditës së djeshme, pasi aktivistët thanë se afro 220 vetë janë vrarë atje nga trupat e presidentit Bashar al-Asad.

Vëzhguesit kanë parë dëmtime të shtëpive dhe një shkollë të djegur dhe thanë se sulmuesit kishin përdorë artileri dhe mortaja.

Pothuajse të gjithë të vrarët janë meshkuj, përfshirë edhe disa kryengritës ushtarakë.

Vëzhguesit thanë se planifikojnë të kthehen në këtë fshat dhe theksuan se numri i viktimave është i paqartë.

Nga ana tjetër, regjimi i presidentit Asad, i ka hedhur poshtë informacionet se i ka përdorë tanket dhe helikopterët në sulmin vdekjeprurës në fshatin Tremseh, të cilin aktivistët e kanë përshkruar si “masakër”.

Vrasjet në Tremseh kanë shkaktuar tmerr ndërkombëtar, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, ka kërkuar aksion urgjent për ndaljen e gjakderdhjes në Siri.
XS
SM
MD
LG