Ndërlidhjet

Shfajësohen tre të akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare


Fotografi ilustruese
Gjykata Supreme shfajësoi Blerim Svircën, Mujë Ukajn dhe Nexhat Shatrin në një rast të gjykuar në shkallën e parë, ku ata akuzoheshin për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit që kishte të bënte me Zyrën e Presidentit të Kosovës.

Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, i kryesuar nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Trupi gjykues i Gjykatës Supreme i miratoi ankesat e të akuzuarve dhe e modifikoi aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës duke i shfajësuar të akuzuarit për arsye ligjore, bëhet e ditur në një komunikatë të EULEX-it.

Gjykata e shkallës së parë e dënoi Blerim Svircën për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, sepse ai kishte vepruar me autorizim të shefit të sigurimit në Zyrën e Kryetarit të Kosovës për të blerë automjete të blinduara.

Por, sipas aktgjykimit të ri, ky dënim nuk ka mund të vërtetohet për shkak se i akuzuari nuk ka qenë shërbyes civil dhe se autorizimi i tij nuk ishte i bazuar në ligj.

Po ashtu, të akuzuarit Mujë Ukaj dhe Nexhat Shatri, fillimisht të akuzuar për shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit dhe në fund të dënuar nga shkalla e parë për veprimtari ekonomike të papërgjegjshme, u shfajësuan sepse ata nuk ishin persona përgjegjës në ndonjë organizatë afariste, por shërbyes civilë përgjegjës për përmbushjen e detyrave administrative.
XS
SM
MD
LG