Ndërlidhjet

Sulm i armatosur dhe shpërthim në Zubin Potok


Veriu i Kosovës
Veriu i Kosovës
Sulm me armë automatike dhe një shpërthim janë regjistruar të kenë zënë vend në mes të orës 01:40 dhe 02:20 min, të natës së mbrëmshme, në tri objekte të ndryshme në Zubin Potok, njofton Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

“Në bazë të raporteve të para policore mësohet se sulmet e armatosura dhe të koordinuara kishin ndodhur në objektin e “KEP” bankës, në objektin e një radiostacioni lokal “Radio Kolashin” dhe në shtëpinë private të një eprori të policisë së Kosovës, në Zubin Potok”, thuhet në njoftim, ku sqarohet se nuk ka persona të lënduar.

Policia ka identifikuar lokacionet dhe objektet të cilat ishin cak i sulmeve të armatosura ndërsa ekzaminimet e vendeve të ngjarjes janë proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, EULEX-it dhe ekspertëve të KFOR-it për identifikim të mjeteve eksploduese, thuhet në njoftim.

Janë regjistruar dëme materiale në objektin e “KEP” bankës, dhe të radio stacionit lokal “Kolashin”, objekte këto në afërsi me njëra tjetrën ndërsa janë regjistruar si të identifikuara mbi pesëdhjetë gëzhoja të armës automatike të cilat besohet se janë përdorur nga kryesit e aktit kriminal.

Ndërsa më shtëpinë private të eprorit policor të Kosovës, janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale nga të shtënat me armë zjarri dhe nga shpërthimi i mjetit eksplodues që besohet të jetë një granatë dore.

Në momentin e sulmit të armatosur, në shtëpi gjendeshin eprori i policisë së Kosovës së bashku me familjen e tij.

Veç dëmeve në shtëpinë e eprorit policor, nga të shtënat është dëmtuar edhe vetura e tij private.

Së paku njëzet gëzhoja janë gjetur dhe marrë si pjesë e provave materiale.
XS
SM
MD
LG