Ndërlidhjet

Hejg: Komentet siriane reflektojnë iluzion


Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Sirisë Xhihad Makdisi
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Sirisë Xhihad Makdisi
Sekretari i jashtëm britanik, Uillijem Hejg, tha sot se komentet e zëdhënësit të ministrisë së jashtme të Sirisë, reflektojnë iluzionin e regjimit të Sirisë se është viktimë e agresionit të jashtëm.

“Ky është krejtësisht iluzion i këtij regjimi se ata janë viktima të agresionit të jashtëm. Ajo që aktualisht po ndodhë është se vetë populli i tyre po ngritet kundër brutalitetit të shtetit policor”, tha Uillijem Hejg.

Këto komente u bënë pasi më herët gjatë ditës, zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Sirisë, Xhihad Makdisi, në një konferencë për shtyp në Damask, tha se qeveria e Sirisë kurrë nuk do ta përdorë armatimin kimik kundër sirianëve, por ai eventualisht do të përdorej kundër ndonjë agresioni të jashtëm.

“Çfarëdo armatimi për shkatërrim në masë ose çfarëdo armatimi jokonvencional, që e posedon Republika Arabe e Sirisë, kurrë nuk do të përdoret kundër civilëve ose kundër popullit të Sirisë gjatë kësaj krize nën asnjë rrethanë, pavarësisht se si kriza do të evaluoj”, tha Makdisi.

Kjo deklaratë u bë një ditë, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se e konsiderojnë përgjegjës secilin zyrtar të Sirisë i involvuar në përdorimin e armatimit kimik.

Zyrtarisht, Siria kurrë nuk e ka konfirmuar se ka armatim kimik.

Aktivistët thanë se forcat e regjimit të Sirisë sot i kanë bastisur disa lagje të kryeqytetit Damask, ndërsa në Alepo, është raportuar se gjatë natës ka pasur përleshje ndërmjet trupave të qeverisë dhe kryengritësve.

Vëzhgimi sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, thotë se prej marsit të vitit të kaluar, kur ka filluar kryengritja në Siri, janë vrarë më se 19 mijë njerëz.
XS
SM
MD
LG