Ndërlidhjet

OKB e shqetësuar për civilët në Alepo


Komisionarja për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillaj.
Komisionarja për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillaj.
Komisionarja për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillaj, u ka bërë thirrje forcave siriane të sigurisë dhe kryengritësve rebelë në qytetin Alepo që të kursejnë civilët nga luftimet.

“Gjasat për një konfrontim të pashmangshëm në Alepo kanë rritur në masë të madhe shqetësimet për sigurinë e civilëve të bllokuar në qytetin më të populluar të Sirisë, i cili kishte më shumë se dy milionë banorë para shpërthimit të konfliktit në Siri”, ka thënë Pillaj në një deklaratë të shkruar.

Ajo ka paralajmëruar se vrasjet me paramendim mund të përbëjnë “krime kundër njerëzimit ose krime të luftës”.

Komentet e saj vijnë në kohën kur Alepo vazhdon të përballet me luftime, për të shtatën ditë me radhë.

Sipas disa mediave, edhe forcat qeveritare, edhe ato rebele kanë bërë thirrje për përforcime, “në përgatitje të një beteje vendimtare për qytetin”.

Protestat antiqeveritare në Siri kanë nisur qysh në mars të vitit të kaluar. Mijëra persona kanë humbur jetën në trazirat ndërmjet kryengritësve dhe forcave që mbështesin regjimin e presidentit Bashar al-Asad.
XS
SM
MD
LG