Ndërlidhjet

ÇOHU kritikon AKK-në


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet ÇOHU kritikoi Agjencinë kundër Korrupsionit duke thënë se kjo agjenci “ka dëshmuar se është një institucion që ligjin e zbaton në mënyrë selektive, të njëanshme dhe qëllimisht të gabueshme”.

Konstatimin e saj ÇOHU e bazon në dy vendimet e fundit të AKK-së: atë mbi ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik rreth rastit të Ejup Qerimi- drejtor ekzekutiv në PTK dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe atë në rastin e Mujë Rugovës ku thuhej se nuk ekziston gjendja e konfliktit të interesit.

Duke rikujtuar se Rugova, krahas funksionit si rektor i Universitetit të Prishtinës ka ushtruar dhe vazhdon ta ushtroj edhe funksionin e anëtarit të Bordit të Drejtorëve në KEK, ÇOHU, vlerësoi se në vendimin në fjalë AKK-ja “ka bërë interpretim të gabueshëm të Ligjit të Konfliktit të Interesit”.

“Këto dy vendime të AKK-së, të marra brenda një distance kohore prej 11 muajve, dëshmojnë për një mungesë konsistence dhe trajtimit të jo të barabartë të rasteve të ngjashme të konfliktit të interesit. Këto vendime kontradiktore si dhe interpretimi i njëanshëm i ligjeve nga AKK-ja, varësisht prej zyrtarit të apostrofuar, tregojnë për qasje selektive në trajtimin e rasteve nga ky institucion”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ÇOHU.

“Kjo qasje selektive dhe trajtimi jo i barabartë i rasteve të ngjashme, por me përfundime të ndryshme, bënë që kredibiliteti i Agjencisë kundër Korrupsionit të pësoj degradim dhe delegjitimim institucional nga vet vendim-marrësit e AKK-së”, theksohet poashtu në komunikatë.

Organizata ÇOHU bëri të ditur se ka kërkuar nga AKK-ja që të shpjegoj se pse ka marrë vendime të ndryshme për raste të njejta të konfliktit të interesit, duke thënë se në rast të mosparaqitjes së shpjegimeve prokuroria duhet të nisë hetimet për
ekzistimin e ndonjë vepre të mundshme penale.
XS
SM
MD
LG