Ndërlidhjet

Një hap drejt pajtimit ruso-polak


Patriarku Kirill
Patriarku Kirill
Claire Bigg dhe Aleksei Dzikavitski


Vizita në Poloni e patriarkut Kirill këtë javë do të jetë e para e një lideri të Kishës Ortodokse ruse në këtë shtet. Kirill pritet të nënshkruajë një dokument, me të cilin u kërkon të dyja palëve t’ia falin njëra-tjetrës ofendimet historike.

Partiarku Kirill do të qëndrojë gjatë kësaj jave në Poloni, duke u bërë lideri i parë fetar i Rusisë që shkel mbi tokën polake që kur vendi fitoi pavarësinë pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë vizitës së tij katër-ditore, nga 16 deri më 19 gusht, Kirill pritet të takohet me liderët e Kishës Ortodokse Autoqefale, të vizitojë disa objekte të saj dhe të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë dhe liderë të Kishës Katolike të Polonisë.

Por, pjesa më e rëndësishme e vizitës së tij do të jetë nënshkrimi i një dokumenti, me të cilin rusëve dhe polakëve u kërkohet pajtimi pas periudhave të errëta të historisë së përbashkët.

Dokumenti do të nënshkruhet nga Kirill dhe kryepeshkopi Jozef Mihalik, kreu i konferencës së peshkopëve polakë, konferencë kjo që do të mbahet më 17 gusht në Varshavë.

“Ne jemi thellësisht të bindur se marrëdhëniet ndërmjet njerëzve të Rusisë dhe Polonisë, që shumë herë janë karakterizuar nga urrejtja, luftërat dhe armiqësitë, mund dhe duhet të përmirësohen”, tha kreu për marrëdhënie ndërkombëtare i Kishës Ortodokse Ruse, Metropolitan Hilarion.

Kërkesa e Kirillit është e para e këtij lloji, e cila do të nënshkruhet nga kishat e të dyja vendeve. Siç bëri Patriarkana në Moskë, ashtu dhe Kisha Katolike Romane në Poloni theksoi se mesazhi i saj është tërësisht shpirtëror, e jo politik.

Zëdhënësi i Kishës Katolike Romane në Poloni, Jozef Kloh, shpjegoi:

“Në këtë mesazh të përbashkët, historia përmendet vetëm në terme të përgjithshme, sepse është kryesisht punë e historianëve që ta trajtojnë këtë çështje. Por, është shumë me rëndësi të përgatitet rruga për një dialog, gjatë të cilit palët do të angazhoheshin në diskutime bazuar në evangjelistin Jezu Krisht - i përbashkët për të dyja kishat. Qëllimi është edhe pajtimi ndërmjet njerëzve - njerëzve të zakonshëm”.

Rusia dhe Polonia kanë qenë armiq dhe kundërshtarë historikë për shekuj të tërë, ndërsa vazhdojnë t’i mbajnë të gjalla ofendimet e rënda ndaj njëra-tjetrës. Në dekadat e fundit, një varg ngjarjesh i kanë bërë të paqarta marrëdhëniet ndërmjet të dyja shteteve.

Polonia vazhdon të kërkojë drejtësi për masakrën e Katinit, gjatë së cilës më 1940 u ekzekutuan më shumë se 20 mijë oficerë polakë nga policia sekrete e Bashkimit Sovjetik. Polakët nuk duruan dot dominimin e vazhdueshëm të Moskës në epokën e pasluftës, e cila përfundoi më 1989.

Rusia, ndërkaq, akuzon Poloninë për keqtrajtimin e të burgosurve nga Ushtria e Kuqe më 1920. Së fundi, më 2008, Polonia dhe Rusia u pajtuan të vënë pjesë të caktuara të territorit në dispozicion për elementet e Mburojës Raketore të Shteteve të Bashkuara.

Varshava dhe Moska kanë shkëmbyer akuza edhe në vitin 2010 lidhur me aksidentimin e një aeroplani, si pasojë e të cilit humbi jetën presidenti polak, Leh Kaçinski dhe 95 të tjerë dhe për shkak të ndërrimeve nga Kisha Katolike Romane në Rusi.

Analisti i çështjeve fetare në Rusi, Mark Smirnof, tha se përpjekjet për pajtim të Kirillit vijnë për shkak të ndryshimit në lidershipin e Patriarkanës së Moskës pas vdekjes së patriarkut Aleksi në vitin 2008.

“Kreu për marrëdhënie ndërkombëtare i Kishës Ortodokse Ruse, Metropolitan Hilarion nga Volokolamski ka shërbyer në Lituani dhe ka raporte të ngushta me liderët e Kishës Katolike në Poloni, me kreun e Kishës Katolike të vendit ku ka qenë disa herë. Ai qëndron prapa iniciativave të tilla për të kërkuar pajtimin ndërmjet njerëzve përmes dialogut ndër-kishtar”, tha ai.

Në muajin e kaluar, Kirilli bëri një pelegrinazh në monumentin e ndërtuar për viktimat e masakrës së Katinit në rajonin Smolensk të Rusisë.

Por, Kisha Ortodokse Ruse njihet për marrëdhëniet e ngushta me Kremlinin dhe vizita e Kirillit thuhet se ka edhe një prapavijë politike.

“Prapa tërë kësaj qëndron politika e autorizuar nga Ministra e Jashtme ruse. Në këtë mënyrë, Moska po sinjalizon se është e gatshme për të gjetur kompromise. Rusia është e shqetësuar që Polonia të bëhet bazë e NATO-s, veçanërisht sa u përket planeve për mburojën raketore. Andaj, kjo është një përpjekje e qartë për t’i ndikuar politikat dhe publikun polak”, tha analisti Smirnof. (e.p.)
XS
SM
MD
LG