Ndërlidhjet

VV: ShIK-u, strukturë e Partisë Demokratike të Kosovës


Prishtina
Prishtina
Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media ka përsëritur se tashmë ka nisur procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve për krijimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Republikës së Kosovës në lidhje me veprimtarinë e ShIK-ut, komision ky i cili do të zbardhte të vërtetën mbi atë se kush e ka themeluar këtë shërbim, si është financuar ai, kujt i ka dhënë llogari ShIK-u, cila ishte struktura, rregullat e brendshme dhe plani i punës së këtij shërbimi, si dhe ku janë arkivat e shumëpërfolura të tij.

"Nga agjentët e vetëdeklaruar të ShIK-ut dhe nga kreu i kësaj organizate kemi marrë përgjigje se gjoja ky shërbim ka qenë shtetëror. Edhe pse ende nuk kemi parë asnjë dokument të vetëm zyrtar mbi veprimtarinë e kësaj organizate, dita ditës edhe vetë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës po dëshmojnë që SHIK-u ka qenë dhe është pjesë e strukturave të saj partiake", thuhet në njoftim.

"Në një intervistë për të përditshmen Zëri, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe njëheri Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, në pyetjen e gazetarit për përfshirjen e kreut të ShIK-ut Kadri Veseli në politikë, përgjigjet duke thënë se Veseli ka qenë edhe më herët i përfshirë në vendimmarrje në PDK", ka theksuar Vetëvendosje.

"Fakti që njeriu kryesor i organizimit në PDK konfirmon se Veseli ka qenë njeri i vendimmarrjes në parti, dëshmon më së miri se SHIK-u është organizatë partiake e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo veçse i shton argumentet e fuqishme për një komision hetimor për t'i kuptuar të gjitha ato të panjohura rreth kësaj organizate që edhe sot e mban peng shtetin e Kosovës", thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
XS
SM
MD
LG