Ndërlidhjet

Një viktimë tjetër e luftës: Telenovelat


Ilustrim
Ilustrim
Karshi dëmeve në njerëz dhe atyre materiale, përplasjet ndërmjet forcave të regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar Al Asad, dhe kryengritësve opozitarë duket se kanë një efekt tjetër anësor - uljen e numrit të telenovelave.

Kështu të paktën thuhet në një koment të së përditshmes amerikane “The New York Times”, që vë në dukje interesin e shtuar të sirianëve në “musalsalet”- telenovelat e transmetuara në kanalet televizive të vendit.

Shikimi i musalsaleve, sipas “The New York Times”, bëhet pjesë e përditshmërisë së sirianëve gjatë muajit Ramazan, ku pas ngrënies së darkës, e gjithë familja mblidhet para televizorit.

“Këtë vit Ramazani është ndryshe. Ai po mbahet në kohën e një lufte të ashpër civile, sirianët po përballen me dramë të tepërt jetësore. Në të njëjtën kohë, kompanitë e produksionit në Siri kanë hequr dorë nga projektet e reja; investitorëve që kishin lidhje me presidentin Bashar Al Asad, iu ngrinë llogaritë bankare dhe shikuesit në mbarë botën arabe bënin thirrje për një bojkot ndaj kanaleve televizive të Sirisë”, thuhet në komentin e së përditshmes amerikane.

“The New York Times” vlerëson se me humbjen e telenovelave, regjimi i Asadit ka humbur “një nga mënyrat më të fuqishme për shpërndarjen e ideve dhe mesazheve politike sikurse brenda ashtu dhe jashtë kufijve të shtetit”.

Duke përshkruar etapat e ndryshimit të telenovelave dhe ndikimet politike në transformimin e tyre, gazeta thekson se me kalimin e kohës, telenovelat siriane ndërlidheshin gjithnjë e më tepër me ideologjinë e partisë së Asadit. Shumica prej tyre thuhet se zhvendoseshin në të kaluarën duke pasur në qendër tematike heronjtë arabë dhe luftërat e lavdishme.

“Me ndryshimin e politikave në rajon kanë pësuar ndryshime edhe telenovelat në Siri. Dramat historike të viteve ’90-të si ‘Ditët damaskiene’ tregonin patriotët arabë duke luftuar kundër shtypjes otomane. Por, në telenovelat e shkruara pas uljes së tensioneve ndërmjet Turqisë dhe Sirisë në vitin 2003-2004, armiqtë nuk ishin më turqit, por kolonialistët evropianë”, shkruan “The New York Times”.

E përditshmja amerikane thekson se ndryshimet në skenën filmike kanë pasur, në disa raste, prapavijë politike.

Përderisa mësohet se vazhdon të ekzistojë një numër aktorësh që janë aktiv në telenovelat e pakta të mbetura, ka të tjerë që kanë dënuar veprimet e Asadit.

“Nëse lufta kthehet në anën e kundërt, aktorët besnikë - ata që kanë mbështetur regjimin dhe që janë paraqitur në emisione të ndryshme televizive duke dënuar grupet terroriste, e duke folur për konspiracion ndërkombëtar - do ta kenë po aq vështirë të kthehen në ekran (siç e kanë aktorët e dënuar nga regjimi)”, vlerëson “The New York Times”.

Shkrimin e plotë të gazetës mund ta lexoni këtu.
Përgatiti: Edona Peci
XS
SM
MD
LG