Ndërlidhjet

Forbes: Merkel, gruaja më e fuqishme në botë


Angela Merkel
Angela Merkel
Revista amerikane “Forbes” ka vendosur kancelaren gjermane, Angela Merkel, në krye të listës së grave më të fuqishme në botë, për të dytin vit me radhë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, është renditur e dyta, ndërsa pas saj ka zënë vend presidentja e Brazilit, Dilma Rousef, raporton Reuters.

Lista prej 100 emrash përbëhet nga gra të përfshira në politikë, teknologji, organizata jofitmiprurëse dhe fusha të tjera.

Ato janë renditur në bazë të ndikimit, sasisë së parave që kontrollojnë ose fitojnë dhe prezencës në media.

“Këto gra të fuqishme ushtrojnë ndikim në mënyra të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme”, ka thënë Moira Forbes, presidente e “ForbesWoman”.

Revista ka vënë në dukje vendosmërinë e Merkelit për të ruajtur Bashkimin Evropian dhe ndikimin e saj në krizën e Eurozonës.

Klinton është lëvduar për trajtimin e krizave, si ajo e publikimit të dokumenteve sekrete nga grupi Wikileaks.

Rousefin, Forbes e ka vlerësuar për udhëheqjen e ekonomisë së tetë më të madhe në botë dhe për kënaqëshmërinë me të të qytetarëve të saj.

Në top-pesëshen e parë ndodhen edhe Melinda Gejts, bashkëudhëheqëse e Fondacionit “Bill&Melinda Gates”, dhe Xhill Abramson, kryeredaktore në “New York Times”.

Në vendin e gjashtë është radhitur Sonia Gandi, presidente e Kongresit Kombëtar të Indisë, për t’u pasuar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Mishell Obama, në vendin e shtatë.

Pozita numër tetë, këtë vit, është rezervuar për shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristinë Llegard, ndërsa ato numër nëntë dhe numër dhjetë i kanë zënë Xhanet Napolitano, sekretare e Departamentit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, dhe Sheril Sandberg, biznesmene dhe shefe e operimeve në “Facebook”.

Lista përfshin edhe personazhe të reja, si këngëtaren dhe aktoren, Xhenifer Lopez, dhe të venë e themeluesit të “Apple”-it, Llauren Pauell Xhobs.

Mosha mesatare e 100 grave më të fuqishme nga 28 vende të botës ka qenë 55 vjeç.(v.t.)


*Listën e plotë të revistës Forbes mund ta gjeni këtu.
XS
SM
MD
LG