Ndërlidhjet

Financial Times: Merkel - politika të mira, ekonomi të këqija


Angela Merkel
Angela Merkel
Presidenti i Bundestagut, Jens Vaidman, ka qenë dikur bankieri më i fuqishëm në Evropë. Tani, ai është vetëm njëri nga 23 anëtarët e Këshillit të Bankës Qendrore Evropiane. Ai nuk pëlqen politikat e këtij institucioni për të ndihmuar vendet në krizë dhe ndjehet i izoluar.

Me këto konkludime nis shkrimin gazeta britanike “Finanancial Times”. Sipas saj, zoti Vaidman po shtrydhet nga dy Mario – kryeministri i Italisë, Mario Monti, i cili do që Banka Qendrore Evropiane të intervenojë, dhe presidenti i Bankës, Mario Draghi, dikur grushtshtërnguar, tani dorëhapur.

Një M i tretë, sipas gazetës, është Angela Merkel. Tradicionalisht, kundërshtare e rreptë e paketave të ndihmës dhe e blerjes së bonove nga Banka Qendrore, kancelarja gjermane është kthyer kundër njeriut të saj në Frankfurt. Për të ndaluar krizën, kjo treshe do që Banka Qendrore Evropiane të hapë rubinetin e saj të parave, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, shkruan “Financial Times”.

Po përse ka ndryshuar Merkeli? Më shumë se gjysma e votuesve gjermanë kundërshtojnë masat e mëtejshme të shpëtimit, por ky rrezik thuhet se është i menaxhuar.

“Financial Times” ka edhe një shpjegim për këtë. Sipas gazetës, në Berlin flitet se zonja Merkel do që të blejë 12 muaj kohë përpara zgjedhjeve federale të vitit 2013, kur kancelarja shpreson të sigurojë një mandat të tretë. Këto janë politika të mira, ekonomi të këqija dhe të ardhura mjaft të varfra për Evropën, vlerëson e përditshmja britanike.

Duke aluduar në vendimet e pritshme të Bankës Qendrore Evropiane për të blerë bono të reja për vendet në krizë, gazeta thotë se ky institucion është gati të shndërrohet në një makinë parash.

Dhe, sipas saj, zoti Draghi natyrisht se murmurit edhe për kushtet, si: të hollat vetëm në këmbim të uljes së deficitit dhe të reformave të tregut. Por, çfarë kur zoti Monti dhe Mariano Rajoi, kryeministri i Spanjës, të përulen para dëshirave të elektoratit të tyre? A do të ndalojë zoti Draghi së bleri borxhet e tyre? Natyrisht se jo, shkruan “Financial Times”. Dhe, sipas saj, ju nuk duhet të jeni bankier qendror për të konkluduar se pa presion në treg, nuk ka reforma.

Otmar Isin, dikur ekonomist kryesor në Bankën Qendrore Evropiane, kujton se para vitit 1981 “Thesari italian ka vënë kamatë për borxhet e qeverisë. Të gjitha bonot që nuk kanë mundur të shiten me atë çmim, duhej të bliheshin nga Banka e Italisë”.

“Financial Times” vë në pikëpyetje efektin e reformave, kur përpjekjet bëhen me para të lehta, me inflacion dyshifror dhe pa ndryshime në politikat e ngrira të vendit.

“Shikoni përtej krizës së borxhit dhe bëni një vështrim më të gjerë. Rritja në Evropë është ngadalësuar për 40 vjet”, shkruan “Financial Times”.

Zoti Vajdman ka të drejtë që i trembet mundësisë morale nga Banka Qendrore Evropiane dhe aleatët e saj në Madrid dhe Berlin. Mjekësia e rrezikshme e zotit Draghi mund të ofrojë një lehtësim afatshkurtër, por jo një kurë afatgjatë. Pacienti evropian ka qenë i sëmurë për dekada. Është koha të rivendoset energjia konkurruese, shkruan gazeta “Financial Times”.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG