Ndërlidhjet

Obama: Trashëgimia e 11 shtatorit, një SHBA më e fortë


Presidenti amerikan Barak Obama, foto nga arkivi
Presidenti amerikan Barak Obama, foto nga arkivi
Qindra vetë u mblodhën në vendin e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, në Pentagon dhe Shanksvill të Pensilvanisë për të kujtuar rreth 3 mijë viktimat e vrarë në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.

Në Uashington, presidenti Barak Obama dhe Zonja e Parë Mishell Obama mbajtën një minutë heshtje në Lëndinën e Jugut të Shtëpisë së Bardhë.

Në fjalimin e mbajtur më vonë në Pentagon, Obama kujtoi ditën, kur “dhembja u rrëzua mbi ne si një valë të tmerrshme".

“Kjo ditë është dhe do jetë gjithmonë e dhimbshme, por na e lë një mësim se asnjë ngjarje e vetme nuk mund të na shkatërrojë kurrë atë se cilët jemi. Asnjë akt i terrorizmit asnjëherë nuk mund të ndryshojë atë, mbi të cilën qëndrojmë. Në vend të kësaj, ne e ripërkushtojmë veten për vlerat në të cilat besojmë, duke u mbajtur fort, pa u lëkundur në shpresën”, tha Obama.

Ai foli dhe për trashëgiminë që la pas vetes 11 shtatori.

“Kur të jenë shkruar librat e historisë, trashëgimia e vërtetë e 11 shttaorit nuk do të jetë ajo e frikës apo urrejtjes e ndarjes. Ajo do të jetë e një bote më të sigurt, një kombi më të fortë dhe një populli më të bashkuar se kurrë më parë”, u shpreh Obama.

Ndërkohë, emrat e viktimave janë lexuar në Qendrën e re Tregtare Botërore në Menheten të Nju Jorkut.

Një minutë heshtje u mbajt në 08:46, kohën kur aeroplani i parë nga katër aeroplanët e rrëmbyer nga terroristët goditi Kullën 110-katëshe Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.
XS
SM
MD
LG